Basha: Rendi e siguria në alarm. Të largohet Tahiri

04/01/2016 00:00

Ngjarjen e Elbasanit, Partia Demokratike e lexon si këmbanë alarmi për rendin dhe sigurinë në vend dhe fajëson për këtë drejtpërdrejtë ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Në një dalje për mediat pasditen e së enjtes, kreu i demokratëve, Lulzim Basha tha se vrasjet në Elbasan nuk janë thjeshtë larje hesapesh, por produkt i klimës së krijuar në vend.

“Krimi, banditët, bandat, pengmarrësit, gjobëvënësit, trafikantët dhe vrasësit, kanë njohje, kanë mbështetje, kanë lidhje, kanë Ministrin. Ndaj lëvizin lirshëm, mbajnë uniformën e Policisë së Shtetit, vrasin e ekzekutojnë pa asnjë pengesë. Pa iu hyrë gjemb në këmbë. Si për t’u kujtuar të gjithë shqiptarëve se ne qeverisjen e Edi Ramës dhe Saimir Tahirit  krimi  ndihet dhe është çdo ditë në pushtet”, deklaroi në një dalje për mediat, kreu i demokratëve, Lulzim Basha.

Opozita thotë se “kjo situatë kritike për rendin dhe sigurinë është produkt i ortakërisë së qeverisë Rama me krimin, ortakërisë së Saimir Tahirit me Habilajt, ortakërisë së tij me shullazët, emërimit të dhjetra krimineleve e trafikantëve në poste të larta në shtet e në polici”.

Basha ripërsëriti akuzat ndaj Ministri të Brendshëm, për të cilin thotë se është i kapur nga krimi.

“Ky palo ministër është faktori që frymëzon, inkurajon, i jep zemër dhe krahë krimit dhe kriminelëve në vend që godasin me armë në dorë ditën dhe natën. Ky ministër e ka tradhtuar policinë, e ka tradhëtuar interesin publik, i ka tradhëtuar qytetarët”, u shpreh Basha.

Kreu i demokratëve kërkoi jo vetëm largimin nga detyra të Saimir Tahirit, por edhe vendosjen e tij para drejtësisë, për ato që Basha i quan “lidhje me bandat”.

“Çdo ditë  më shumë e Saimir Tahirit në krye të rendit është festë për bandat, dramë dhe tragjedi për familjet shqiptare. Ai duhet të largohet menjëherë nga detyra, sot, tani. Të largohet dhe të vihet para drejtësisë për lidhjet e tij me bandat, krimin dhe trafiqet”, deklaroi Basha.

Top Channel