Qeveria prezanton alternativat, tre projekte për Skavicën

04/02/2016 00:00

Projekti për ndërtimin e HEC-eve në Drinin e Zi është  bazuar në një studim të Bankës Boterore i kryer që në vitin 1999.

Projekti i parë njihet me emrin Skavica e Madhe, 441 metër, që do të përbënte edhe rezervuarin më të madh ujë-mbledhës në Kaskadën e Drinit me një investim prej 662.4 mln eurosh, ndërsa dy projektet e tjera janë ato që ndajnë Skavicën në dy HEC-e, Katund i Ri, 445 metër, me vlerë 99.5 mln euro dhe Skavica e Vogël, 395 metër me vlerë 248.3 mln euro dhe varianti i trete,  Katund i Ri, Skavicë e Vogël, 385 metër me vlerë investimi 214.3 mln euro.

Ministria e Energjisë prezantoi këto tre projektet në një tryezë me donatorë, ku deklaroi se variant i parë, ai i Skavicës së Madhe është i pafinancueshëm për shkak të kostos financiare, mjedisore dhe asaj sociale, pasi kërkon zhvendosjen e 10 mijë banorëve.

Për këtë arsye, ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri thotë se qeveria do të vendosë në zbatim projektin me dy HEC-e dhe kërkoi ndihmën e donatorëve për ndërtimin e skavicës së vogël.

“Projekti do të shkonte miliarda dollarë dhe është utopi, prandaj mendojmë që të kryejmë variantin me 2 HEC-et, të japim me koncension atë që ka më pak ndikim në Kaskadë, Katundin e Ri dhe pjesën tjetër të kërkojmë ndihmë financiare që KESH, edhe në kushtet e liberalizimit të tregut të energjisë të mund të ndërtojë këtë HEC”, deklaroi ministri Gjiknuri.

“Për KESH-in mendoj që në mos i vetëm, të jetë rregullator kryesor i Kaskadës. Sa i përket Katundi i Ri, nuk ka impakt, është njësoj si të gjitha HEC-et e tjera që kemi dhënë me koncesion”, shprehet eksperti Fahri Maho.

Këto diskutime vijnë në kohën kur në publik po flitet për projektin e Skavices, për të cilin opozita akuzon qeverinë se po përgatit për t’ja dhënë me koncesion një kompanie turke.

Top Channel