Shëndeti i Schumacher, Montezemolo: Nuk kam lajme të mira

04/02/2016 00:00

Ish-shefi i Ferrarit, Luca di Montezemolo, ka thyer heshtjen pasi foli për shëndetin e 7-herë kampionit të botës në Formula 1, Michael Schumacher, duke thënë se nuk ka lajme të mira.

Edhe pse nuk pranoi të fliste shumë për legjendën e “kokëkuqes”, ai deklaroi shkurt se i vinte keq që një aksident me ski e shkatërroi atë, përkundër faktit se ishte një njeri i kujdesshëm.

“Kam lajme dhe fatkeqësisht nuk janë aspak të mira”, u shpreh Montezemelo përpara gazetarëve duke mos dhënë detaje të tjera.

“Jeta është e çuditshme. Ai ishte një pilot fantastik dhe pësoi vetëm një aksident me Ferrari në vitin 1999. Ai ishte një pilot i madh dhe ne kemi pasur marrëdhënie të shkëlqyera personale dhe profesionale. Për fat të keq një aksident me ski e shkatërroi atë”, vijoi ai.

Schumacher ishte me pushime me bashkëshorten e tij, Corinna, dhe fëmijët Mick e Gina Maria në resortin Meribel, kur më 29 dhjetor të vitit 2013 gjatë skijimit pësoi një aksident duke goditur kokën në një gur.

Top Channel