Tiranë, 5 nëpunës të ALUIZNI-t në pranga; dy pronarë ndërtimesh në kërkim

04/02/2016 00:00

Një operacion policor i koduar “SMILE” ka përfunduar me arrestimin e 5 shtetasve, nëpunës të ALUIZNI-t, si dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve, pronarë firmash ndërtimi, për përdorim dokumentesh të falsifikuara në procesin e legalizimit të dy objekteve në zonën e Kasharit.

Të ndaluarit nga forca të seksionit kundër Korrupsionit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Task Forcës dhe atë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, janë: Skënder Biba, 34 vjeç nga Tropoja, banues në Tiranë; Vasil Mitre, 56 vjeç nga Korça, banues në Tiranë; Fajton Guzi, 30 vjeç nga Shkodra, banues në kryeqytet; Astrit Joca, 43 vjeç, banues në fshatin Kërrabë të Tiranës; si dhe Ardjana Gjini, 24 vjeç nga Vau i Dejës, banuese në Tiranë.

I pari ka qenë në detyrën e shefit të seksionit të Urbanistikës dhe Legalizimeve në Drejtorinë nr. 5 në Tiranë; i dyti me detyrën e shefit të Hartografisë në Drejtorinë Rajonale nr. 5 të ALUIZNI-t në kryeqytet; ndërsa i treti specialist hartografie në të njëjtën drejtori. I katërti i arrestuar ka pasur detyrën e përgjegjësit të sektorit të regjistrimit fillestar në zonën nr.5 pranë ALUIZNI-t, në Drejtorinë Tatimore të Tiranës, ndërsa femra e vetme me detyrën specialiste juriste në të njëjtën zonë.

Në kërkim janë shpallur pronarët J.M. dhe J.Ç., por identifikimi i plotë i tyre nuk bëhet i ditur për shkak të hetimit, teksa akuzohen për përfitim në mënyrë të kundërligjshme.

Ndaj tyre janë dorëzuar dy kallëzime nga shtetasit R.Xh., 54 vjeç, dhe F.C., 58 vjeç, të dy lindur e banues në Tiranë, të cilët pretendojnë se janë përjashtuar nga e drejta e pronës për të përfituar katet shtesë sipas kontratave me investitorët përkatës, përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuar për legalizimin e tyre.

Në dyshimet e hetuesve kanë rënë proceset e legalizimit të dy objekteve të banimit në ish-Komunën e Kasharit, nga të cilat janë përjashtuar pronarët e tokës. Të ndaluarit akuzohen për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës, të personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim, “mashtrim” në dëm të disa personave, si dhe “falsifikim dokumentesh”.

Top Channel