“Fiks Fare”, moratoriumi 10-vjeçar i pyjeve, por s’ka ngelur pemë në këmbë…

04/02/2016 00:00

Shqipëria ka 14% sipërfaqe pyjore më pak, si pasojë e shfrytëzimit barbar të pyjeve me dhe pa leje dhe përderisa deputetët në Kuvend po votonin për moratoriumin 10-vjeçar të pyjeve, “Fiks Fare” solli pamjet e pyjeve shqiptare të marra nga helikopteri.

Pyjet në Malësinë e Burrelit, në Bulqizë dhe në Krastë, dëshmojnë për një katastrofë mjedisore të shkaktuar nga dora e njeriut. Pamjet nga lart të “Fiks Fare” dëshmojnë qartë për barbarinë për të cilën askush nuk mban përgjegjësi.

Në të vërtetë, “Fiks Fare” e ka trajtuar me dhjetëra herë problematiken e pyjeve, duke përmendur këtu “zhveshjen” e Vargamaleve të Skënderbeut në vitin 2003 e 2010, pastaj atë për Lurën në vitin 2010.

Ashtu si shumë zona dhe parqe pyjore në vendin tonë, edhe ajo e Gërmenj-Shelegurit në Kolonjë apo ajo e Qafë Dëllenjes në Ersekë i janë nënshtruar masakrave të dorës së njeriut, e që i ka zhveshur dalëngadalë nga kurorat me bredha dhe pisha duke zënë hapësirë në këtë emision investigativ.

Moratoriumi 10-vjeçar që hyri menjëherë në fuqi pas votimit në Kuvend mund të jetë një lëvizje e vonuar, pasi s’ka ngelur pemë në këmbë, por ashtu siç thuhet “më mirë vonë sesa kurrë”, urojmë që të ndikojë për mirë nga tani e tutje.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel