Parashikimi, KE për Shqipërinë: Rritje ekonomike 3.2% në 2016-n

04/02/2016 00:00

Komisioni Europian publikoi parashikimin ekonomik të dimrit për vendet anëtare dhe kandidate të BE-së. Në përmbledhjen për Shqipërinë vlerësohet se, “rritja ekonomike është në trajektore ngjitëse, për shkak të dallgës së investimeve dhe një kontributi pozitiv të eksporteve neto”.

Investimet e huaja direkte mbeten burim i rëndësishëm zhvillimi, ndërsa konsolidimi fiskal qëndron në krye të agjendës politike. “Megjithatë, ndjesia ekonomike mbetet e paqëndrueshme dhe kreditimi i ekonomisë, i nënshtruar”.

Pavarësisht kontributit kyç për rritjen ekonomike të 5 viteve të fundit, industria nxjerrëse parashikohet të ulë prodhimin vendas, që ndikohet dhe nga “paqëndrueshmëria e motit për prodhimin e hidrocentraleve, të cilat plotësojnë pjesën dërrmuese të nevojës së Shqipërisë për elektricitet”, thuhet më tej në dokument.

Nga 2.7% për 2015-n, Komisioni parashikon një rritje ekonomike prej 3.2% në 2016-n dhe 3.5% për 2017-n. Nga 4% e GDP-së, deficiti rezulton të ketë rënë në 3.5% për 2015-n, duke iu afruar normës së lejuar të BE-së (prej 3%), ndërsa vendi parashikohet të përmirësojë balancën me 2.3% këtë vit dhe 1.8% vitin e ardhshëm.

Parashikimi për punësimin rritet nga 1.7% në 2% gjatë 2015-s, duke përmirësuar dhe pritshmëritë për dy vitet në vijim, me 2.2% dhe 2.5% respektivisht, ndërsa ruhet e njëjta normë parashikimi për papunësinë (17.5% për 2015-n, 16.9% për 2016-n).

Borxhi publik, i rritur ndjeshëm dhe në mënyrë të vazhdueshme prej vitit 2011, pritet të bjerë më tej, nga 72.3%, në 71.6% këtë vit dhe 69.9% vitin e ardhëm. Në këtë kuadër, krahas rreziqeve që lidhen me kursin e këmbimit, Komisioni vëren se “mund të rriten presionet për shpenzime në prag të zgjedhjeve parlamentare të 2017-s, kur skadon dhe programi i mbështetjes së FMN-së për Shqipërinë, që vepron si një spirancë disiplinore aktualisht”.

Parashikimi ekonomik i dimrit flet për rimëkëmbje graduale të huadhënies bankare për qëllime biznesi dhe ringjallje investimesh, nxitur nga gazsjellësi trans-adriatik (TAP), i cili pritet të rrisë formimin e kapitalit fiks bruto, pasi hyn në një fazë intensive këtë vit. Sipas dokumentit, “paqëndrueshmëria e besimit të konsumatorëve dhe biznesit ka rritur nivelin e pasigurisë në vend”.

Përmirësimi i kushteve financiare dhe punësimit pritet të ndikojnë shpenzimet e konsumatorëve, ndërkohë që “remitancat e shqiptarëve, që jetojnë jashtë vendit, rezultojnë të paqëndrueshme, duke reflektuar veçanërisht destabilitetin e ekonomisë greke”.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel