Alibeaj në Top Story: Byroja s’ka pse të presë Venecian

04/02/2016 22:55

Parlamenti u përfshi këtë të enjte nga debati mbi Byronë Kombëtare të Hetimit, ku deputetët e opozitës i mëshuan kërkesës së tyre më të fundit për ngritjen e menjëhershme të saj, ndërsa kryeministri Edi Rama la të kuptohej se ajo do të ngrihej pas marrjes së opinionit të Venecias për reformën në drejtësi.

Ajo që është e dukshme deri më tani është se ka një mister rreth draftit për Byronë Kombëtare të Hetimit, një sponsorizim amerikan dhe një kërkesë e beftë e Partisë Demokratike për ta futur në votim sa më shpejt.

Për të hedhur sadopak dritë mbi këtë mister këtë të enjte në Top Story me Sokol Ballën ishin të ftuar dy ekspertët e Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj dhe Ivi Kaso përballë panelit të analistëve Skënder Minxhozi, Mustafa Nano dhe Arjan Vasjari.

Alibeaj u ndal fillimisht tek propozimi fillestar i maxhorancës për ngritjen e kësaj reforme, një propozim që kaloi në Kuvend, por u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese pas dërgimit atje nga ana e Partisë Demokratike.

“Kishte dy çështje thelbësore që binte ndesh me Kushtetutën, e para byroja e forcave të rendit që janë në varësi të ministrit të Brendshëm do të kryenin hetime në mënyrë të pavarur sipas mendimit të PS, dhe e dyta në krye të këtij grupi do të ishte ministri i Brendshëm. Dmth, Prokurori i Përgjithshëm në këtë rast do të ishte ministri. Gjykata kushtetuese e shfuqizoi atë”, tha Alibeaj.

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike tha se amerikanët u përfshinë në ngritjen e kësaj strukture para 6 muajsh dhe u ulën duke marrë vullnetin e të dyja palëve.
 
Sipas Alibeajt, Venecia e ka marrë njëherë në shqyrtim këtë çështje dhe nuk ka pse të pritet më për ngritjen e Byrosë.

“Venecia e mori në analizë këtë çështje dhe në mendimin që ktheu ka thënë: kjo zgjidhje që të jetë praktike duhet që Byroja Kombëtare e Hetimit të mos i nënshtrohet drejtimit të jashtëm dhe roli dhe kompetencat e saj duhen specifikuar të paktën në Kushtetutë”, shton ai.

Ai shtoi se për ngritjen e saj duhen plotësuar 3 kushte. E para, sipas Alibeajt janë financimet që po i jep SHBA, e dyta është baza kushtetuese, që sipas tij ekziston dhe i fundit dhe ai që mungon është vullneti i Partisë Socialiste.

Të njëjtin qëndrim ndau edhe eksperti tjetër i demokratëve, Ivi Kaso, ndërkohë që Alibeaj u ndal në fund tek ajo që ndan më së shumti palët sa i përket reformës në drejtësi; votimi me 3/5, që këmbëngul maxhoranca dhe 2/3 që kërkon opozita. Sipas tij, nëse reforma kalon me 2/3, kjo maxhorancë instalon militantët e vet në sistem për 20 vitet e ardhshme.

Top Channel