Debati Clinton-Sanders, akuza reciproke për idealizëm e lidhje me establishmentin

05/02/2016 08:40

Debati i tyre i parë kokë më kokë pa Hillary Clintonin dhe Bernie Sandersin të “përplaseshin” për politikën e jashtme dhe Wall Street-in.

Ish-sekretarja e Shtetit e quajti senatorin e Vermontit një idealist, që nuk ka për të vënë kurrë në jetë premtimet e tij; Sandersi e akuzoi kundërshtaren se është tepër e lidhur me “establishment”-in për të arritur të prodhojë ndonjë ndryshim të vërtetë. E lodhur nga përpjekjet e tij për ta portretizuar si një politikane të cilën Wall Street-i e ka në xhep për shkak të donacioneve të fushatës, Clinton u shfaq më agresive se herë të tjera ndaj rivalit për nominimin demokrat.
“Është koha t`i jepet fund këtyre akuzave të pista që ti dhe stafi yt i fushatës i lëshoni me shumë mjeshtëri”, tha Clinton.

Debati televiziv në Nju Hempshajër ishte i pari që kur gara në kampin demokrat u tkurr vetëm mes këtyre dy konkurrentëve, pas tërheqjes së ish-guvernatorit të Merilendit, Martin O’Malley. Pa një person të tretë në skenë, dallimet mes tyre u shpërfaqën shumë qartë.

Clinton sulmoi propozimin e Sandersit për kujdes shëndetësor universal, duke e përshkruar si tepër të kushtueshëm e praktikisht të paarritshëm. 74-vjeçari nuk la pa iu rikthyer linjës së preferuar të sulmit ndaj saj, faktit që Clinton mbështeti luftën e Irakut, por dhe ish-Zonja e Parë iu përgjigj flakë për flakë, duke vënë në dyshim ekspertizën e tij në politikën e jashtme.

Përplasja televizive erdhi 5 ditë përpara betejës për nominimin presidencial të së martës në Nju Hempshajër. Sondazhet i japin epërsi Bernie Sandersit në shtetin që ndan kufijtë me Vermontin, ku ai është senator.

Top Channel