Maqedoni, VMRO-DPMNE e kundërshton projekt-ligjin për media të LSDM-së

05/02/2016 10:45

Në takimin e së enjtes në mbrëmje, VMRO-DPMNE nuk e ka pranuar projektligjin e LSDM-së për media, duke e vlerësuar atë si antikushtetues dhe në kundërshtim me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ilija Dimovski nga VRMO-DPMNE, para takimit të grupeve punuese partiake, ka deklaruar se partia e tij mbron qëndrimin se ligji aktual për mediat është në përputhshmëri me të gjitha standardet evropiane dhe është shikuar pozitivisht nga të gjitha institucionet relevante.
 
Ndërkaq, ndërmjetësi belg në bisedime, Piter Vanhaute, ka thënë për mediat se nuk pret ndonjë progres të madh që në takimin e parë të grupeve punuese.
 
“Është vetëm takimi i parë për të filluar me diskutimet për mediat. Nuk pres ndonjë progres të madh”, ka thënë Vanhaute.
 
Çështja e mediave është pika e fundit e papërmbushur e Marrëveshjes së Përzhinos, pasi ditë më parë u arrit pajtueshmëri për metodologjinë e pastrimit të listës zgjedhore.

Top Channel