Aktet nënligjore, Donald Lu në Kuvend për dekriminalizimin

05/02/2016 11:00

Aktet nënligjore të zbatimit të ligjit të dekriminalizimit kanë qënë në fokus të një takimi të ambasadorit amerikan Donald Lu, me një grup deputetësh në selinë e Kuvendit.

Ambasadori amerikan ka qëndruar për rreth 15 minuta në këtë takim që vjen një ditë pas debatit të ashpër në Kuvend për Byronë Kombëtare të Hetimit.

Në këtë takim kanë qënë Oerd Bylykbashi nga PD, Taulant Balla nga PS dhe Luan Rama nga LSI. Duke folur për mediat ata thanë se ka një bashkëpunim të mirë për zbatimin sa më të shpejtë të ligjit.

“Ishte seancë asistence për aktet nënligjore të dekriminalizimit. Një strukturë e Kuvendit, bashkë me komisionin përgatisin aktet. Brenda dy muajsh përfundojmë”, është shprehur Oerd Bylykbashi, PD.

“Meqënëse jemi në kuadëer të procesit të aplikimit të ligjit të dekriminalizimit po përpiqemi të mësojmë nga përvoja më e mirë për ta bërë atë standardin më të mirë në Shqipëri”, tha Luan Rama, LSI.

“Brenda muajit shkurt, maksimumi mesi i muajit mars t’i kemi gati t’i kalojmë në Parlament, që të japë rezulatet e pritura nga i gjithë publiku. Nuk ka asnjë dyshim që fakti që të gjitha çështjet e hedhura në ligj, që janë detyrime për tu deklaruar nga personat që hyjnë në inçidencën e ligjit janë kaluar me konsensus”, është shprehur Taulant Balla, PS.

Top Channel