NBA, Bryant i jep fitoren Lakers-ave (Video)

05/02/2016 11:30

Kobe Bryant vazhdon të shfaqet në një formë shumë të mirë në NBA. Ylli i Los Angeles Lakers e udhëhoqi skuadrën kaliforniane drejt suksesit me New Orleans Pelicans 99-96, që e çoi në 11 numrin e fitoreve në këtë sezon.

Bryant, i cili në fund të këtij sezoni do t’i thotë lamtumirë basketbollit, e mbylli sfidën me 27 pikë dhe 12 topa në tabelë. Për New Orleans shkëlqeu Anthony Davis, i cili e mbylli ndeshjen me 39 pikë, por këto statistika nuk i shërbyen aspak skuadrës së tij.

Houston Rockets fitoi jashtë parketit të saj. Skuadra teksane mposhti Phoenix Suns 111-105, duke ia shtuar akoma më shumë problemet kësaj të fundit. James Harden nuk ishte në ditën e tij më të mirë, duke realizuar 4 nga 19 tentativat e tij në këtë ndeshje. Ata që morën përsipër të çonin Rockets drejt suksesit ishin Brewer me 24 pikë dhe Howard me 16 topa në tabelë.
 
Në ndeshjet e tjera të NBA, Toronto Raptors shënoi fitoren e 12 radhazi pasi mundi Portland Trail Blazers 110-103, ndërsa Detroit Pistons mposhti New York Knicks me rezultatin 111-105.

Top Channel