NBA, Obama pret kampionët e Golden State Warriors

05/02/2016 11:50

Në SHBA është traditë që çdo vit presidenti i vendit nderon skuadrat kampione të çdo disipline sportive. Këtë radhë, shefi i Shtëpisë së Bardhë, Barack Obama priti skuadrën kampione të NBA, Golden State Warriors, duke mos i kursyer aspak komplimentat ndaj kësaj skuadre që edhe këtë sezon është e papërmbajtshme.

“Duhet ta pranojmë. Warriors këto dy sezone është shfaqur shumë mirë. Njerëzit thonë se kjo skuadër po bën një revolucion në basketboll. Unë nuk luaj më, por kam njohuri për këtë sport dhe Golden State është një ndër skuadrat më të mira që kam parë ndonjëherë. Luan shumë mirë si ekip, ashtu siç duhet të ndodhë zakonisht në basketboll. Është diçka e bukur të shohësh këtë skuadër ku gjithçka funksionon për mrekulli”, tha Obama.

Në këtë takim të veçantë nuk kanë munguar as batutat me trajnerin Steve Kerr, i cili tha se Obama në vitin 2017 do të jetë i lirë, kështu që mund të bëhet pjesë e Warriors: “Skuadra jonë është e nderuar që ndodhet këtu për t’ ju takuar dhe festuar titullin në Shtëpinë e Bardhë. Drejtori i Përgjithshëm i skuadrës sonë, Bob Mayers na tha që në vitin 2017 do të jeni lojtar i lirë, kështu që mund të bashkoheni me ne”.

Në sezonin aktual, Golden State është në krye të klasifikimit në Konferencën e Perëndimit, me 45 fitore dhe 4 humbje, dhe po shkon drejt rekordit të Chicago Bulls me 72 fitore dhe vetëm 10 humbje, të vendosur në vitin 1997.

Top Channel