Mazhoranca tregon forcën, Mustafa: Jo “grusht shteti”; Thaçi: I mbledhim një milion mbështetës

05/02/2016 12:05

Udhëheqësit e koalicionit qeveritar në Kosovë janë shprehur të vendosur, në zbatimin e plotë të marrëveshjes së tyre, e cila parashikon zgjedhjen e Hashim Thaçit president, ndërsa ftuan opozitën që të presë afatin kushtetues të zgjedhjeve dhe të shmangë dhunën nëpër rrugë.

“Në këtë shtet, nuk do të lejojmë një ‘grusht shteti’. Nuk duhet të lejojmë as vrasje apo lëndime të policëve tanë. Këtë shtet duhet ta ndërtojmë me votat e qytetarit, duhet ta ndërtojmë me legjitimitet të institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

“Vetëm dy partitë tona, PDK dhe LDK, i kanë gjysmë milioni votues, pa përfshirë partnerët e koalicionit. T’u them të drejtën, ne për dy ditë mund t’i mbledhim një milion njerëz në mbrojtje të Republikës, në sheshet e Kosovës. Cila do të ishte përgjigjja pastaj? Kështu që nuk do të tërhiqemi përpara asnjë shantazhi, i kujtdo qoftë”, tha Hashim Thaçi, zv.kryeministër i Kosovës.

Këto komente, krerët e koalicionit i bënë pas takimit që patën me Bashkimin e Sindikatave të Kosovës, me të cilët diskutuan për zhvillimet e fundit politike në vend.

Edhe kreu i sindikatave, Haxhi Arifi deklaroi se, nuk mbështesin protestat e dhunshme në rrugë, pasi – sipas tij, – sindikatat i kanë realizuar të gjitha kërkesat përmes dialogut.

Top Channel