PD: Rama detyrohet të pranojë aferën korruptive për Skavicën

05/02/2016 12:10

Partia Demokratike, me anë të një deklarate të Sekretarit Organizativ të saj, Enno Bozdo, tha se “qeveritarët kundërshtojnë njëri-tjetrin” në lidhje me aferën e Skavicës.

“Dje, Gjiknuri doli kundër Ramës. Opinioni publik e pa qartë aferën korruptive që kjo qeveri donte të ndërmerrte me Skavicën, pasurinë më të madhe të shqiptarëve. Si rezultat i denoncimeve të Partisë Demokratike dhe presionit publik, qeveria u tërhoq dhe pranoi më në fund se ajo ka në dispozicion një studim profesionist të vitit 2009. Ky studim përcakton qartë cili është opsioni më i mirë për të ndërtuar Skavicen, në dobi të interesit publik. Në këto kushte, e gjithë procedura e marrjes në konsideratë të studimit të kompanisë Syzer dhe dhënia e bonusit kësaj kompanie, pa transparencë, por si rezultat i bisedimeve sekrete, del qartë që është një korrupsion i pastër”, tha Bozdo.

“Përse Rama pranoi dhe i dha bonus studimit të Syzerit mbi Skavicën, duke e paracaktuar si fituese, kur kishte në dispozicion një studim profesional që prej vitit 2009? Përse qeveria detyrohet tashmë të pranojë se ekziston një studim i tillë, kur e kishte dhe e mbajti të fshehur, për të vazhduar me aferën e saj? Si është e mundur që Rama pranoi një ofertë nga kompania Syzer, ndërsa studimi i plotë për Skavicën ishte në sirtarin e ministrit Gjiknuri? A e dinte Rama se Gjiknuri kishte në dispozicion një studim të mirëfilltë? Nëse po, përse ndërmori bisedime të fshehta me Syzer? A e dinte Rama se është e paligjshme të pranosh një propozim të pakërkuar, kur qeveria ka në dispozicion një studim të mirëfilltë? Në këto kushte, Partia Demokratike kërkon të shfuqizohet vendimi që i ka dhënë bonus prej 8 pikësh kompanisë Syzer”, shtoi Bozdo, i cili në fund tha se PD-ja kërkon “një hetim administrativ të mirëfilltë, për të zbardhur këtë aferë korruptive”.

“Ministri Gjiknuri duhet të mbajë përgjegjësi për fshehjen e studimit mbi Skavicën. Asnjë pazar me Skavicën nuk do të pranohet. Skavica është dhe do te mbetet pasuri publike”, theksoi Bozdo.

Top Channel