Saimir Pirgu: “Nëna është e para”!

05/02/2016 12:25

Në mbrëmjen e 4 shkurtit, “La Traviata”, ku Saimir Pirgu luan në rolin kryesor të Alfredos, është shfaqur drejtpërdrejt nga Opera Mbretërore e Londrës në 2000 kinema anembanë botës. “Financial Times” e Londrës e ka vlerësuar performancën me superlativa, në një kohë kur po promovohet albumi i tij solo, i titulluar “Il mio canto”. Në të përmblidhen ariet më të bukura italiane dhe franceze, të kompozuara për tenorët më të mëdhenj të botës.

Por, i gjithë ky sukses duket se nuk e ka lodhur aspak Pirgun. Në një lidhje përmes skype, në programin e mëngjesit “Wake Up” në “Top Channel”, tenori shqiptar me famë botërore ka thënë:

“Në këto momente nuk ka pushim, vetëm punohet! Shfaqja e djeshme kishte një stres shumë të madh sepse isha live përballë një spektatori shumë të gjerë, që më ndiqte në kinematë e gjithë botës. Jam shumë i kënaqur se si shfaqja shkoi. Edhe në vazhdim, do të jem shumë i zënë, me shfaqje dhe promovime të diskut në Tokio, Firence, Berlin, Paris, Nju Jork etj., megjithatë nuk ndjej lodhje. Një palë pushime në Hauai, megjithatë, do t’i doja në këtë periudhë”!

I pyetur për albumin e ri, Pirgu ka nënvizuar se e ka quajtur “Il mio canto” për shkak të lidhjeve të ngushta që tanimë ka me Italinë.

“Jam këngëtar i repertorit italian, prezantoj në gjithë botën operan italiane. Albumin e parë e kam bërë me shtëpinë Universal, në vitin 2004, regjistruar në Itali. Menduam se erdhi momenti i duhur që pas këtyre viteve t’i lija një dokument publikut. Kjo ishte periudha më e mirë që të lë një imazh me ariet më të rëndësishme të repertorit lirik. Vitet kalojnë, zëri ndryshon, do ketë role më dramatike dhe mundësia për t’i ekzekutuar këto arie bëhet gjithnjë e më e vogël”.

Pyetjes se cili është personi i parë që Pirgu telefonon pas shfaqjeve të tilla, plot sukses, ai i është përgjigjur:

“Telefonoj nënën. S’ka problem, le të më quajnë dhe çun mamaje. Nëna është e para, gjëja ime më e shtrenjtë, të cilën e telefonoj gjithnjë pas shfaqjeve. Pastaj vijnë personat e stafit, që përpiqen që gjithçka të shkojë mbarë. Sa për pjesën private, nuk kam dëshirë të flas”,- ka shtuar duke qeshur Pirgu.

Gjatë turneut botëror për promovimin e albumit të ri, Pirgu ka thënë se do të ndalet edhe në Tiranë. Ai do të sjellë “Il mio canto” në një performancë ekskluzive për publikun shqiptar, më 5 mars në kryeqytetin shqiptar.

Top Channel