Aplikacioni “Tirana Ime”, mënyra e re për të denoncuar

05/02/2016 00:00

Shërbimet për komunitetin dhe anasjellltas, bashkia e Tiranes ka menduar t’i bëjë më efikase nëpërmjet teknologjisë. Që prej ditës së sotme, çdo banor i kryeqytetit, vizitor shqiptar apo i huaj, mund të shkarkojë në telefonin e tij, aplikacionin Tirana Ime.

Kreu i Bashkisë Erjon Veliaj, thotë se në këtë mënyrë, çdo qytetari i jepet mundësia që të denoncojë një problem që mendon se cënon komunitetin duke e faktuar atë me pamje, por mbi të gjitha të ketë lehtësira në përditshmërinë e tij.

“Çdo qytetar mund të monitorojë punën e bashkisë të shohë diçka që nuk shkon, një pusetë që është vjedhur, një dritë e djegur etj. Çdo problematikë mund të raportohet në një aplikacion. Ne kemi një sallë dispecerie ku ndërmarrja që merret me rregullimin e atij problemi shkon dhe e rregullon problemin në kohë reale. Ka dhe gjëra specifike. Dikush që ka probleme me kopshtin ku shkon fëmija e vet, ose me stacionin e autobusit që ka qënë dhe debat këto ditë” Veliaj

Është menduar edhe për vizitorët e Tiranës. Çdo vizitor do të njihet në aplikacionin “Tirana Ime” me pikat turistike kryesore.

“Mjafton një shkarkim i “Tirana ime” dhe ka gjithë pikat turistike të Tiranës, me një përshkrim që u bën të mundur atyre të udhëtojnë në qytet”, thotë Veliaj.

Top Channel