Protesta, traktorët “pushtojnë” Selanikun. Sofja kritikon Athinën për doganat

05/02/2016 00:00

Për herë të dytë brenda 4 ditëve të fundit, mbi 150 traktorë kanë hyrë në qendër të Selanikut, duke bllokuar për orë të tëra disa prej rrugëve kryesore të qytetit dhe duke shkaktuar një kaos të vërtetë në qarkullimin e automjeteve.

Sipas përfaqësuesve të tyre, ata i kanë dërguar edhe një peticion konsullatës gjermane në këtë qytet.

Kjo është forma e re që kanë gjetur fermerët e 4 pikave nevralgjike përreth qytetit verior, në ditën e 22-të të protestës së tyre, me anë të së cilës kundërshtojnë reformën e re të pensioneve dhe të sistemit të taksave, e cila – siç shprehen, – gjunjëzon të gjithë të punësuarit në sektorin e bujqësisë.

Ndërkohë, nga bllokimi prej 5 ditësh i Doganës së Promahonës në kufirin greko-bullgar, radha e kamionëve shkon në 25 km në të dy anët e kufirit, ndërsa Ministria e Jashtme e Bullgarisë ka dërguar një notë proteste për bllokimin e 4 pikave doganore me Greqinë, duke kritikuar Athinën zyrtare se “nuk ka përmbushur detyrimet e saj për respektimin e lirive themelore në BE, siç është lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave ndërmjet shteteve anëtare”.

Gjatë së premtes, për shumë orë është mbyllur autostrada kryesore që lidh Athinën me Selanikun në vendin e luginës së Tebit, ndërsa i bllokuar nga 800 traktorë vazhdon të jetë edhe kryqëzimi i Malgares, 22 km në Perëndim të Selanikut, një nyje nevralgjike nga e cila kalojnë gjithë automjetet me destinancion Shqipërinë dhe Greqinë kontinentale, drejt Jugut e ishujve dhe anasjelltas.

Përshkallëzimi i protestët së fermerëve kulmon mesditën e së shtunës. Sipas ultimatumit, që përfaqësuesit e tyre i kanë dërguar kryeministrit grek, Alexis Tsipras, do të bllokohen për 24 orë në fundjavë të 62 pikat, ku ata kanë nxjerrë mbi 10 mijë traktorët e tyre, nëse qeveria nuk merr mbrapsh projektligjin e reformave në fjalë.

Midis pikave që do të bllokohen përfshihen edhe Dogana e Kapshticës, hyrjet në aeroportet e Athinës dhe Selanikut, si dhe hyrjet në të gjitha portet e vendit, përfshi edhe aeroportet e portet e ishujve grekë.

Top Channel