Kosovë, VV zbraz kamionin me qymyr para Ministrisë së Ekonomisë

05/02/2016 00:00

Një kamion me qymyr është zbrazur këtë të premte para Ministrisë së Zhillimit Ekonomik, në Prishtinë, nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët po protestonin kundër marrëveshjes për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, marrëveshja prej një miliard eurosh, e firmosur me kompaninë amerikane “Contour Global”, është e dëmshme për Kosovën, pasi norma e lartë e interesit prej 21%, do të reflektohet në një rritje prej 50% të çmimit të energjisë elektrike.

Nga VV propozojnë, që zgjidhja më e mirë do të ishte rindërtimi i Termocentralit ekzistues “Kosova A”, pasi Kosova ka kapacitete dhe potenciale që ta zgjidhë vet krizën e saj energjetike, ndaj kjo ka qenë edhe simbolika e derdhjes së qymyrit përpara ministrisë.

Ndërkohë, sipas ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, rritja e çmimit të energjisë nuk do të jetë më shumë se 28%. Ky termocentral do të ketë një kapacitet gjenerues prej 500 megavatësh, me të cilën qeveria shpreson se do të arrijë një zgjidhje afatgjate për furnizimin me energji elektrike në vend.

Termocentrali “Kosova e Re” pritet të fillojë së ndërtuari në fund të vitit 2016, ndërsa pritet të përfundojë pas 6 vitesh.

Top Channel