Mëngjesi i lutjeve, Obama flet për herë të fundit si president në takim

05/02/2016 00:00

Për 63 vite me radhë, presidentët amerikanë janë mbledhur të enjten e parë të muajit shkurt, së bashku me anëtarë të Kongresit dhe mijëra të ftuar nga mbarë bota, për “Mëngjesin kombëtar të Lutjeve”.

Takimi i kësaj radhe shënoi dhe pjesëmarrjen e fundit për Presidentin Barack Obama, mandati i të cilit përfundon janarin e vitit që vjen. Shefi i Shtëpisë së Bardhë, në eventin e organizuar në sallën qëndrore të hotelit luksoz “Washington Hilton”, tha se besimi është kura më e mirë për të mposhtur frikën.

“Frika mund të na shtyjë t’i hidhemi kundër personave që janë të ndryshëm nga ne, mund të na shtyjë t’i vëmë nën kontroll ata që i shohim si ‘të tjerët apo të tmerrshmit’, ashtu siç mund të na çojë në dëshpërim e cinizëm. Besimi është ilaçi më i mirë për frikën. Besimtarëve, Zoti u jep fuqinë, dashurinë dhe mendjen e pastër, që duhen për të mposhtur çdo lloj frike”, tha Obama.

Këtë pohim, Obama e ilustroi me eksperiencën e vet personale, e tha se besimi i tij i krishterë i ka dhënë fuqinë të kapërcejë që nga frika e zakonshme e një prindi, për sigurinë e fëmijëve të tij, deri te frika me të cilën përballet si kryetar shteti, kur merr vendime për të dërguar trupat në veprime ushtarake jashtë vendit.

Të mërkurën, gjatë vizitës së tij të parë si president në një xhami, Obama bëri thirrje për tolerancë ndaj miliona myslimanëve të Shteteve të Bashkuara, duke thënë se “ne jemi të gjithë një familje e madhe amerikane”.

Çdo president amerikan merr pjesë në “Mëngjesin kombëtar të Lutjeve”, që prej fillesave të këtij eventi në 1953-shin, për të ndarë përvojat me anëtarë të Kongresit, zyrtarë të qeverisë e të ftuar nga mbi 100 vende të botës, nëpërmjet lutjes dhe falënderimit.

Top Channel