Kosovë, 30 mijë euro për ekspertizën dhe rimëkëmbjen e “Trepçës”

05/02/2016 00:00

Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës kanë caktuar një fond prej 30 mijë eurosh, për rimëkëmbjen e Kompleksit Metalurgjik të Trepçës. Me këto parà do të paguhen disa ekspertë ndërkombëtarë, të cilët pritet të sjellin në Prishtinë shembujt më të mirë të transformimit të ndërmarrjeve metalurgjike nga vendet e tyre.

“Ne kemi pasur një takim me të gjitha palët e interesuara për ‘Trepçën’, ku kemi ndarë disa prej detyrave, që ne të punojmë në transformimin e saj. Kemi si orientim gjithashtu, që të analizojmë studime të rasteve të kompanive të ngjashme me ‘Trepçën’, në mënyrë që t’i marrim si modele gjatë hartimit të strategjisë dhe ligjit për ‘Trepçën’”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Kryetari i Komisionit parlamentar për Zhvillimin Ekonomik, Muhamet Mustafa ka thënë përmes telefonit për Top Channel se, ekspertët do të sjellin pas një muaji studime nga transformimi i ndërmarrjeve metalurgjike në Australi, Zelandë të Re, Turqi dhe vende të tjera.

Por, eksperti i ekonomisë Ibrahim Rexhepi vlerëson se, qeveria është e vonuar në rimëkëmbjen e “Trepçës”, pasi ka dështuar të hartojë strategjinë dhe ligjin për të brenda afatit njëvjeçar, që kishte premtuar.

“Është shqetësuese për faktin se, unë kam pritur që qeveria të dilte me vizionin, me strategjinë, me propozime konkrete për ‘Trepçën’, si dhe me ligjin për të. Kjo, në mënyrë që ‘Trepça’ të fillojë të lëvizë, së paku nga pika zero në të cilën gjendet”, tha Ibrahim Rexhepi, ekspert i ekonomisë.

Nga kompleksi i dikurshëm i “Trepçës”, aktualisht në gjendje pune janë vetëm minierat e Stantërgut, Novobërdës dhe ajo që ndodhet në pjesën veriore të Kosovës. Mineralet bruto që nxirren prej tyre shkojnë për eksport, por kostoja nuk arrin të mbulojë as pagat e 2400 punonjësve, ndaj prej vitesh ato subvencionohen nga qeveria.

Top Channel