Emigracioni, 25 policë sllovakë “zbarkojnë” në kufirin greko-maqedonas

05/02/2016 00:00

Me kërkesë të autoriteteve të Shkupit, 25 pjesëtarë të policisë sllovake kanë arritur këtë të premte në kufirin midis Maqedonisë dhe Greqisë. Menjëherë pas njohjes me terrenin dhe me situatën aktuale me emigrantët, ata kanë filluar nga puna.

Krahas ndihmës për evidentimin e refugjatëve, policët nga Sllovakia do të kryejnë patrulla të përbashkëta me kolegët e tyre nga Maqedonia, me qëllim mbrojtjen e kufirit me Greqinë. Ata do të jenë të pajisur me 8 automjete në terren, me kamera termale dhe pajisje për vëzhgim natën.

Përmes një njoftimi me shkrim, Ambasada e Sllovakisë në Shkup ka bërë të ditur se, mandati i policëve sllovakë në Maqedoni është 30 ditë, me mundësi për t’u rinovuar.

Ndërkohë, mësohet se në territorin grek, afër kufirit me Maqedoninë presin mijëra refugjatë nga Lindja e Mesme. Një pjesë e tyre, të cilët gjatë ditës së premte kanë arritur të kalojnë kufirin, thonë se kanë pritur 5 ditë nëpër kampe.

Sipas të dhënave të UNHCR-së, gjatë 24 orëve të kaluara, nga Greqia në Maqedoni kanë hyrë rreth 2.000 refugjatë, të cilët më pas kanë vijuar rrugën e tyre drejt vendeve të Europës.

Top Channel