Nju Jork, rrëzohet vinçi nga erërat e forta; një viktimë e dy të plagosur

05/02/2016 00:00

Shembja e një vinçi ndërtimi në Manhattanin e Poshtëm, në qytetin e Nju Jorkut, ka lënë të vdekur një person dhe ka plagosur të paktën dy të tjerë. Departamenti i Zjarrfikësve të Nju Jorkut konfirmoi humbjen e një jete, teksa u gjend menjëherë në vendngjarje pas aksidentit.

Rrëzimi i vinçit ndodhi orët e para të mëngjesit të së premtes përgjatë “Ëest Broadëay”, në periferinë Tribeca. Aq i madh ishte ai, saqë mbuloi tërësisht rrugën, si dhe zuri nën të disa makina të parkuara.

Kryebashkiaku i qytetit të Nju Jorkut, Bill de Blasio tha se viktima ishte i ulur brenda një makine të parkuar, në momentin e rrëzimit të tij që supozohet të ketë ndodhur prej erërave të forta. Punonjësit e ndërtimit ishin duke e ulur vinçin, e megjithatë asnjë prej tyre nuk është plagosur.

“Ndodhi jashtë dritares sime”, tha një dëshmitar për agjencinë e lajmeve “Associated Press”. “Dëgjova zhurmën e një përplasjeje të fortë dhe menjëherë u ndienë dridhjet e ndërtesës. Dola në dritare për të parë, ndërkohë që rruga ishte bllokuar prej vinçit”, shtoi më tej Robert Harold.

Dëshmitari kishte parë dikë të bllokuar në makinën e tij, ndërsa një tjetër person gjendej i shtrirë në rrugë. Punonjësit e vinçit ishin duke zëvendësuar një pajisje të ajrit të kondicionuar në ndërtesën ekzistuese, kur ndodhi ngjarja tragjike, e para në qytetin e Nju Jorkut prej vitit 2008.

“Fakt është se, ky ishte një incident tepër i shëmtuar. Humbëm një jetë njeriu, – tha De Blasio. – Nëse do të ishit të pranishëm në vendngjarje për të parë çfarë ndodhi, do të mendonit: Falë Zotit nuk rezultoi më keq”.

Menjëherë pas ngjarjes, vinçat në të gjithë qytetin e Nju Jorkut u urdhëruan të uleshin nga lartësitë, ndërkohë që para rrëzimit të këtij të fundit, autoritetet thonë se ai ndodhej rreth 152 metra lartësi. Moti gjatë mëngjesit të së premtes në Nju Jork ka qenë me borë dhe me erëra të forta. Edhe transporti publik kishte pësuar shtyrje të vazhdueshme, ndërsa u bllokuan tramet dhe transporti rrugor në zonën e rrëzimit të vinçit.

Top Channel