Ekspeditë në Kilimanxharo për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

05/02/2016 00:00

Alpinistja Merita Gashi do të nisë më 1 mars ekspeditën e saj për “pushtimin” e majës më të lartë në Afrikë, Kilimanxharo. E veçanta e kësaj ekspedite në Tanzani është kauza e alpinistes, e cila kërkon drejtësi për viktimat e përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë.

“Për mua, e gjithë kjo ngjarje apo ky udhëtim ka një kauzë nga pas. Sot është bërë shumë pak për viktimat seksuale gjatë luftës. Mesazhi im është të dënohen kriminelët që kanë bërë të tilla krime, gjë që do të thotë se duhet vendosur drejtësi për ato viktima”, tha Merita Gashi, alpiniste.

Presidentja e Kosovës, si një nga personalitetet që është angazhuar vazhdimisht për të drejtat e kësaj kategorie, njëherazi si udhëheqëse e Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarat e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, i dhuroi këtë të premte alpinistes një flamur të Kosovës, ku do të shkruhet “Duam drejtësi”. Këtë flamur, alpinistja do ta shpalosë me të mbërritur në majën e Kilimanxharos.

“Në fakt, në këtë flamur që ma dha sot Presidentja, do të ketë mesazhe edhe prej grave që janë dhunuar. Sigurisht që do të kërkohet drejtësi dhe kjo është një ngjarje, nga e cila besoj se çdo person do të marrë një mesazh, sidomos për mentalitetin e Kosovës. Në Kosovë flitet pak, thuajse aspak për këtë temë. Ato duhet të jenë si të gjitha gratë e tjera, nuk duhet të kenë dallime”, tha Merita Gashi.

Kjo ekspeditë organizohet nga klubi alpin “Prishtina”, me 20 pjesëmarrës nga Kosova, ndërsa për herë të parë, pjesë e ekipit që ngjit Kilimanxharon janë edhe 8 gra alpiniste.

Top Channel