Kina “çmendet” për futbollin, 142 milionë në 10 ditë

05/02/2016 00:00

Kina është shndërruar në kryefjalën e merkatos së dimrit. Brenda 10 ditësh, 3 klube të “Premier League”-s kineze kanë kryer 3 transferime rekord. Jiangsu Suning dhe Guangzhou Evergrande kanë shpenzuar plot 142 milionë euro për transferimin e Alex Texeira, Ramires dhe Jackson Martinez.

Merkatoja e futbollit në Kinë mbyllet më 26 shkurt dhe, deri atëherë, priten goditje të tjera të mëdha, por kjo superfuqi ekonomike ka trembur një veteran të pankinës, si Arsene Wenger.

Tekniku i Arsenalit tha se, klubet europiane duhet të shqetësohen për shfaqjen e muskujve financiarë të shtetit aziatik, që në sezonet e kaluara nuk ka dominuar në futboll. Dhe kur frika vjen nga ekipet angleze, siç është edhe Arsenali, që faturojnë miliona prej transferimeve, atëherë Wenger thotë se ka diçka të re.

“Duket se Kina ka fuqinë financiare që të transferojë të gjitha kampionatet kryesore europiane në kampionatin e saj dhe, për ne që jemi prej vitesh në këtë detyrë na tregon se, tashmë situata ka ndryshuar në dëmin tonë. Nuk e di nëse kinezët do të ulin dëshirën për shpenzime në futboll, pasi më parë kjo është verifikuar dhe në Japoni, por duhet të shqetësohemi që po ikin yjet. Çmimi 100 milionë tani është plotësisht i arritshëm”, tha Arsen Wenger.

Top Channel