Biseda 2 orëshe Rama-Meta, bien dakord për Byronë e Hetimit dhe takimin me FMN-në

05/02/2016 00:00

Përballë debateve politike për Byronë Kombëtare të Hetimit, pritshmëritë nga takimi i përjavshëm i njësisë së koordinimit të koalicionit ishin të shumta.

Pas dy orë diskutimesh të drejtuara nga Rama dhe Meta, me prezencën e Shpëtim Idrizit të PDIU-së, krerëve të grupeve e disa ministrave, ministri Ahmetaj ishte i vetmi që iu përgjigj interesit të medias.

Ishte një përgjigje e njëjtë si ajo e paralajmëruar një ditë më parë nga kryeministri Rama. Tashmë, mazhoranca do presë opinionin e Komisionit të Venecias, që lidhet me nenin 148, pika 3, e draftit që percakton kushtetueshmërinë e Byrosë.

“U diskutuan edhe çështjet e reformës në drejtësi dhe është rakorduar për të pritur të gjithë reflektimet nga Komsioni i Venecias. Pra, do të pritet Komisioni Venecias për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi”, deklaroi Ahmetaj.

TCH: Në takimin e sotëm a keni diskutuar me terma konkretë se si duhet të jetë Byroja e Hetimit, e varur nga Ministria e Drejtësisë, siç është modeli kroat; apo tërësisht e pavuar si modeli rumun?

Ahmetaj: “U diskutua në parim për reformën në drejtësi dhe do të priten të gjitha konkluzionet e Komisionit të Venecias”.

Nuk dihet për sa kohë do t’i rezistojë mazhoranca këtij rakordimi përballë gadishmërisë së shprehur nga opozita për ta miratuar ligjin e Byrosë së Hetimit që duhet ta hartojë qeveria dhe presionit të ndërkombëtarëve.

Ministri Ahmetaj tha më tej se pjesë e diskutimeve të njësisë së koordimit ishin edhe ato me karakter ekonomik.

“Në 17 shkurt FMN aprovon rishikimin mbi ekonominë shqiptare dhe rakorduam të gjitha çështjet ekonomike, sigurisht edhe ato për prioritetet në sektoret prioritarë. Nuk është thjesht disbursim. Patjetër që ka disbursim, është një konfirmim i zhvillimeve pozitive ekonomike të vëndit”, tha Ahmetaj. 

Top Channel