Alarmi i “spiunëve” gjermanë: Mes refugjatëve, militantë të ISIS

05/02/2016 00:00

Gjermania ka ngritur alarmin, se militantët e Shtetit Islamik janë kamufluar në radhët e refugjatëve.

Paralajmërimi vjen nga Hans-Georg Maassen, kreu i Inteligjencës gjermane, vetëm pak ditë pas një vale arrestimesh në vend.

Në qytetin gjerman të Këlnit janë raportuar sërish 22 incidente seksuale ndaj femrave, të cilat kanë ndodhur gjatë mbrëmjes së parë të festës së karnavaleve. 190 persona ndodhen në paraburgim.

Gjithçka ka ndodhur sikurse me incidentet në mbrëmjen e ndërrimit të viteve. Por tani, situata ka qenë më e menaxhueshme për autoritetet gjermane, të cilat kanë aktivizuar forca të shumta policore në të gjithë vendin.

Sipas kreut të Inteligjencës, identifikimi i refugjatëve është sfida më e madhe, me të cilën po përballen agjencitë e sigurisë. Vetëm në muajin janar, në Gjermani kanë zbarkuar 91 mijë refugjatë.

Pas masakrës së Parisit dhe sulmeve me sfond seksual në Këln, masat e sigurisë në Gjermani janë shtuar ndjeshëm.

Top Channel