“Fiks Fare”, familja me 3 invalidë rrezikon të dalë në rrugë

05/02/2016 00:00

“Fiks Fare” ka sjellë në vazhdimësi raste të ndryshme të qytetarëve shqiptarë të cilët përballen me probleme të rënda ekonomike e sociale të cilat shpeshherë kanë pasur reagim të menjëhershëm institucional, por edhe sensibilizim masiv të qytetarëve shqiptarë.

Urojmë që e njëjta gjë të ndodhë edhe me rastet që ky emision solli këtë të premte, kur tre pjesëtarë të familjes janë të sëmurë ose invalidë dhe janë pa shtëpi dhe përballen me mungesën e ushqimit.

Familja Ura ka parashtruar kërkesën pranë Bashkisë Tiranë për të marrë një banesë sociale, por ende nuk ka marrë asnjë përgjigje. Pasi ka plotësuar të gjithë dokumentacionin, bashkia i ka kërkuar kësaj familje që të presë, por i zoti i shtëpisë ku janë aktualisht këta familjarë nuk pret.

Kërkesën e saj e shpjegon më mirë Andriana Ura, ndërsa poshtë saj mund të lexoni edhe reagimin e Elton Kacidhjas, drejtor i Strehimit dhe Monitorimit pranë Bashkisë Tiranë.

Andriana Ura: Posedoj komplet dokumentacionin e plotësuar pranë Bashkisë së Tiranës ku kam kërkuar si e pastrehë. Më është dhënë një përgjigje që më takon 3+1, por e kësaj dite nuk kam marrë ende një konfirmim nga zyrat e tyre. Dokumenti i fundit është plotësuar më datë 7 janar të këtij viti ku më kërkuan edhe dy dokumente shtesë dhe më thanë të rrish në pritje, mirëpo siç e shikoni unë nuk mund të pres shumë. Qiraja është shumë e lartë dhe nuk e përballoj dot, duke qenë se jam me tre invalidë. Ju e shikoni nënën, është vëllai me autizëm dhe kam babin invalid pune prej disa vitesh. Të ardhurat janë të pamjaftueshme për të arrit të përballojmë të gjitha shpenzimet. Deri dje ne kishim një donator që paguante çdo muaj qiranë tonë, por ai tani nuk është më. Ne nuk paguajmë qiranë prej katër muajsh. Thjesht kërkoj ndihmë në lidhje me këtë gjë, pra problemin e pastrehimit.

Elton Kacidhja, drejtor i Strehimit dhe Monitorimit, Bashkia Tiranë: Zotëri Ura e ka këtë ankesë me të drejtë. Ne kemi bërë maksimumin si në raundin e parë që shpërndamë banesat dhe po bëjmë maksimumin që edhe në raundin e dytë këto banesa të vihen në dispozicion të atyre familjeve që kanë shumë nevojë për strehim. Uroj që z.Ura shumë shpejt, në rast se edhe përmbush kriteret dhe tabela e pikëzimit e favorizon sepse ka tre fëmijë të sëmurë dhe besoj që në bazë të kësaj tabele do të bëhen përfitues i banese sociale. Në rast se nuk kualifikohen për banesë sociale atëherë të shohë për një program tjetër që është programi i “bonusit të qirasë”, pra çdo familje e cila nuk ka mundësi ekonomike mund të aplikoje për këtë program dhe Bashkia Tiranë i rimburson qiranë e apartamentit.

Rasti i Sofie Selimit nga Durrësi

“Fiks Fare” shkoi edhe në fshatin Gramsh të Lushnjës për të vizituar zonjën Sofie Selimi e cila jeton te mamaja e saj me të birin 25-vjeçar invalid.

Duke qenë se djali është me aftësi të kufizuara, ai jetonte në një qendër rehabilitimi fizik e mendor e cila kujdesej për të. Por, me të mbushur 25-vjeç djali u dëbua nga qendra, prandaj nëna e mori atë e cila jeton në kushton shumë të rënda.

Sofi Selimi, banore, Durrës: Unë jam banore e Durrësit prej 35 viteve. Kama ardhur në Gramsh te mamaja sepse në vitin 1994-‘95 filluan privatizimet dhe në atë shtëpi ku unë isha, në lagjen 11, kunati privatizoi dhomën time dhe unë mbeta pa shtëpi me tre fëmijë jetim. Fëmijën e linda me të meta mendore dhe fizike. Kam 22 vjet që po jetoj këtu, por djali nuk kishte kushte të jetonte këtu. U detyrova ta çoj djalin te qendra e rehabilitimit mendor dhe fizik prej 17 vitesh, por pasi djali mbushi 25-vjeç më njofton drejtoria që duhet të marr djalin. Nëse kështu thotë ligji dhe shteti nuk kam kundërshtim, por shteti duhet të bëjë diçka edhe për këta, ose të pyes shteti a kam kushte? Pse e kam lënë fëmijën atje? Unë e dua djalin tim, le të jetë me të meta, por shteti duhet të më ndihmojë sepse nuk kam kushte, e shikoni edhe vetë. Spitali është 8 kilometra larg nga këtu.

Top Channel