Sulm me armë në një hotel në Irlandë, autorët të veshur si policë

06/02/2016 04:00

Tre persona të armatosur, dy prej të cilëve të veshur si policë dhe një tjetër i maskuar si femër, kanë kryer një sulm me armë në një hotel në Dublin, Irlandë, duke vrarë një dhe plagosur dy të tjerë.

Në ambientet e hotelit ku ka ndodhur sulmi ishte duke u kryer procesi i peshimit të boksierëve për një ndeshje boksi.

Në deklaratën e lëshuar nga policia e Dublinit thuhet se është qëlluar brenda dhe jashtë ambientit ku ndodheshin boksierët. Pas kësaj ngjarje të rëndë, ndeshja e boksit është anuluar.

Një zyrtar i policisë tha se sulmi nuk ka lidhje me terrorizmin, ndërsa po hetohet e shkuara e personit të vrarë dhe të të plagosurve.

Një video amatore është publikuar në ambientet ku ndodhi ngjarja. Një boksier sapo ishte peshuar kur nisën të shtënat e para, ndërsa në sallë kishte një numër të madh personash, mes tyre edhe një fëmijë i vogël, i cili dëgjohet duke qarë.

Policia po kryen kontrolle të imtësishme në zonën përreth ku ndodhi sulmi, ndërsa mblodhi edhe dëshmitë e të pranishmëve në sallë, për të arritur në identifikimin e autorëve të sulmit.

Top Channel