Kili prezanton trajnerin e ri, sërish argjentinas

06/02/2016 12:40

Kombëtarja e Kilit do të drejtohet nga një tjetër trajner argjentinas, Juan Antonio Pizzi i cili ka firmosur me Federatën Kiliane të Futbollit një kontratë deri në vitin 2018.

Pizzi, që zëvendësoi në këtë detyrë Horge Sampaolin, u prezantua përpara medias në një ceremoni ku mori pjesë edhe presidenti i Federarës, Arturo Salah.

Juan Antonio Pizzi së fundmi drejtoi skuadrën meksikane të Leon, ndërkohë që më parë ai ka qenë në pankinën e Universidad de Chile dhe San Lorenzo në Argjentinë. Në Europë Pizzi ka drejtuar skuadrën spanjolle të Valencias.

“Është një privilegj dhe një sfidë për mua që të drejtoj një prej skuadrave më të mira në botë. Jam përpjekur që tek skuadrat që kam drejtuar të injektoj rolin e protagonistit me rezultate pozitive dhe këtë do të kërkoj ta bëj edhe tani”,  tha Pizzi në konferencën e prezantimit.

Juan Antonio Pizzi do të nisë aventurën e tij të re në pankinën e Kilit me 2 ndeshjet eliminatore të Botërorit 2018 me Argjentinën dhe Venezuelën, që skuadra kampione e Amerikës së Jugut do të luajë në muajin mars.

Për momentin Kili është në vendin e pestë në Grupin e Amerikës Latine në këto kualifikuese, që do të thotë se nëse e mbyll kështu këtë fushatë do të luajë në Playoff përballë një skuadre nga Oqeania.

Top Channel