Algjerianët e arrestuar në Gjermani dyshohen për lidhje me sulmet në Paris

06/02/2016 12:55

Policia gjermane po heton për lidhje të mundshme mes 3 algjerianëve të arrestuar në Gjermani këtë javë dhe sulmeve të Parisit.

Ai që dyshohet të jetë lideri i celulës që po planifikonte sulme në Gjermani dhe thuhet të jetë trajnuar në një kamp xhihadistësh në Lindjen e Mesme.

Policia publikoi të premten foto që tregojnë militantin 34-vjeçar duke u trajnuar në një kamp terroristësh në Siri. Një zëdhënës i policisë së Berlinit deklaroi se imazhet i kishin shtyre t’i merrnin shumë seriozisht sugjerimet e inteligjencës për një sulm të mundshëm dhe gjithashtu për  të verifikuar lidhjen e mundshme të grupit me një rrjet më të madh ekstremistësh.

Autoritetet bëjnë me dije se algjeriani i shfaqur në foto, i identifikuar thjesht si Farid A, kishte përdorur emrin e tij të vërtetë dhe 3 emra të rremë gjatë qëndrimit të tij në Gjermani. Ai dhe bashkëshortja e tij, e cila u vu gjithashtu në pranga, ishin hequr si refugjatë të ardhuar nga qyteti sirian i Alepos.

Të dyshuarit u arrestuan gjatë disa bastisjeve të koordinuara në Berlin dhe Renin Veriore-Vestfali. Për operacionin në kryeqytetin gjerman u mobilizuan mbi 450 policë.

Të premten Hans Georg Maasen, kreu i inteligjencës gjermane tha se nuk kishte prova për një sulm  terrorist në të ardhmen e afërt në Gjermani, edhe pse autoritet vazhdojnë të jenë në gjendje maksimale alarmi. Gjithsesi Maasen pranoi se militantë të Shtetit Islamik kishin hyrë në gjermani përmes valës së refugjatëve.

Top Channel