PD: Masakra e Elbasanit nuk zbardhet

06/02/2016 13:35

“Për fat të keq krimi nuk është një hap para shtetit, krimi është mbi shtetin”. Me këtë bindje, ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka nuk ka dyshime se ngjarja e Elbasanit do të përfundojë në arkivin e krimeve të pazbardhura, si çdo vrasje e stilit mafioz që ka ndodhur këto dy vjet.

“Policia është e dorëzuar. Nuk mund të bëjë luftë kundër krimit, se ka një ministër të lidhur kokë e këmbë me krimin e organizuar, se ka disa drejtorë të rëndësishëm të Policisë së Shtetit, duke nisur nga drejtori i policisë kriminale, ushtarë të bandës kriminale dhe krimit të organizuar”, tha Noka.

Gjysmë tonin e drogës së kapur nga autoritetet italiane, Partia Demokratike e quan vetëm një fragment të një trafiku prej tonelatash me hashash që kryhet me mbikëqyrjen e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

“Sasi të mëdha droge qëndrojnë në pritje për t’u nisur drejt Italisë, në zonën e Çoles, në Dhërmi dhe në grykderdhjen e Vjosës. Furgona të ngarkuar dhe garazhe e magazina ne Çole dhe perrreth, kanë gati mallin për skafin ose gomonen e radhës. Të paktën 3 mijë ton hashash gjendet gati për tu trafikuar, dhe ruhet me policët besnik të Drejtorit të Vlorës, i cili është pika kyçe e Habilajve dhe Tahirit. Një biznes prej qindra milionë euro që ka nisur dhe është konsoliduar ditë pas dite qysh se ministër i Brendshëm u bë Saimir Tahiri”, deklaroi në një dalje për mediat, deputeti Flamur Noka.

Deputeti demokrat tha se ai denoncoi trafikun një ditë para se të kapej nga policia italiane, por pavarësisht kësaj ministri Tahiri heshti.

“Të nesërmen, megjithë këtë denoncim publik në Parlament, në prani të medias kombëtare, sërish gomonia e ngarkuar me hashash doli në det dhe u nis për në Itali”, thotë Noka.

Opozita ripërsërit akuzën për kapjen e shtetit nga krimi që po pasurohet me milionë euro të pista në një kohë që vendi po rrënohet çdo ditë.

“Është në dorën e qytetarëve të bashkohen e t’i hapin vendit një rrugë të re, larg sundimit të krimit të veshur me pushtet e pushtetit të veshur me krim”, mbyll deklaratën e tij deputeti i PD, Flamur Noka.

Top Channel