Blushi: Nuk vendos Rama për zgjedhjet në parti; Tahiri: PS, parti e garës

06/02/2016 00:00

Nga Kukësi, ku prezantoi “Kandidatin”, librin e tij më të fundit, deputeti socialist nuk u mor vetëm qëndrimin e kryetarit të partisë së tij, por edhe me ata që e kanë mbështetur.

“Zgjedhjet nuk i cakton ai që është kandidat. Shpresoj akoma dhe kam shumë besim që të gjithë ata që u nxituan dhe thanë ‘nuk ka zgjedhje’ do ta tërheqin atë, sepse kanë bërë një gafë. Kushdo që ka thënë ‘nuk ka zgjedhje’ ka bërë një gafë”, tha Blushi.

Me mbështetjen e shumë socialistëve, që ai thotë se e kanë kontaktuar për ta mbështetur në betejën për një parti me rregulla demokratike, Ben Blushi beson se gara për kryetar partie ku ai është shpallur kandidat nuk mund të bllokohet.

“Edi Rama ka paranojë dhe sigurisht një problem konkurrence. Dyshoj se ka frikë të hyjë në këto zgjedhje. Nëse s’ka, atëherë duhet ta pranojë garën. Ky është një detyrim, jo zgjedhje fakultative”, theksoi Blushi. 

Tahiri: PS, parti e garës dhe jo e përjashtimit

Deputeti Saimir Tahiri, nga Durrësi deklaroi se Partia Socialiste është parti e garës dhe jo e përjashtimit.

“Është një parti ku flasim, ku debatojmë, ku mbase nuk na pëlqen ndonjëherë ç’i themi njëri-tjetrit, por jemi sy e veshë ndaj njëri-tjetrit dhe ku nuk lejohet të harrosh, të largosh njerëzit, ku konkurrojmë me njëri-tjetrin dhe ku ai që zgjidhet nuk është shef i të tjerëve, por një i barabartë me shumë detyra”, u shpreh Tahiri.

Top Channel