Elbasan, PD proteston për rrugën e Tiranës; reagon MTI: Problematika, e trashëguar

06/02/2016 00:00

Punimet e ndërprera në aksin e rrugës Elbasan-Tiranë, ishin arsyeja e protestës së organizuar nga Partia Demokratike me banorë të zonës.

Deputeti Luçiano Boçi, pasi numëroi disa probleme që shqetësojnë jetën e gjithë shqiptarëve, si siguria, papunësia dhe varfëria, kërkoi nisjen e menjëhershme të punimeve, në të kundërt protesta e tyre do të vazhdojë.

“Është e patolerueshme që kjo rrugë të jetë sot në këtë gjendje, kur një deputet i Elbasanit është ministër në Ministrinë përkatëse. Ky është një aks që prek aktivitetin e shumë qytetarëve të cilët nuk mund të mjaftohen me ndërtimin e një lulishteje”, tha Boçi.

Duke reaguar ndaj protestës së PD, Ministria e Transporteve dhe Infrastrukturës ka deklaruar se, “problematika e jashtëzakonshme e trashëguar e veprave publike në Shqipëri duhet t’i kishte bërë deputetët që të paktën të heshtnin, në shenjë të një njohjeje dhe pendimi për përgjegjësitë e tyre dhe forcës politike që përfaqësojnë”.

Por, sipas dikasterit qeveritar, është e dukshme që mungesa e përgjegjësisë dhe politizimi nga ana e tyre nuk njeh kufij.

“Përfaqësuesit e opozitës duhet ta dinë shumë mirë që projekti i rrugës Tiranë-Elbasan, ndonëse shumë i rëndësishëm për banorët e Elbasanit dhe të gjithë juglindjes, është projekti më tipik i përdorimit për qëllime elektorale të një vepre që bëhet me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Projekti i kësaj vepre u modifikua disa herë në dëm të cilësisë e standardeve, për të fituar kohë e për të arritur inaugurimin përpara zgjedhjeve të 2013-s. Dhe kostot jemi të detyruar t’i paguajmë sot, për parregullësi ligjore, për mungesë projektesh gjeologjike, për fatura të mëdha financiare, si pasojë e disa shkarjeve të mëdha të masivit shkëmbor përgjatë kësaj rruge”, thuhet në njoftim.

Top Channel