Rama mbron policinë, Tahiri: Krimi, pasojë edhe e drejtësisë

06/02/2016 15:15

Nga Durrësi, për të cilin Prokurori i Përgjithshëm pak ditë më parë deklaroi se ka  disa grupe kriminale që dyshohet se veprojnë në këtë qytet e që po tentojnë hapur të sfidojnë autoritetin e shtetit, kryeministri Edi Rama mbrojti Policinë e Shtetit.

“Është shumë e lehtë, por edhe më e turpshmja që pas çdo krimi të baltosësh Policinë e Shtetit. Sot policia është shëmbëlltyra e besimit të shumicës dërrmuese të shqiptarëve dhe  ka ende shumë për të bërë, por po bëhet shtet”, tha Rama.

Për ministrin e Brendshëm, numri i lartë i krimeve në Shqipëri ka një arsye. “Drejtësia nuk zgjidh asnjë konflikt dhe i lë njerëzit të bëjnë drejtësi vetë”, u shpreh ai.

Nga aktiviteti për fushatën e nisur nga forca kryesore qeverisëse, “Anëtarësohu në Partinë Socialiste”, kreu i saj dha arsyet përse duhet të bashkohen sa më shumë njerëz në të.

“Dielli duket që në mëngjes. Dita jonë në qeverisjen e vendit do të sjellë ende më shumë të mira dhe kemi nevojë ende për më shumë njerëz për të sprapsur hordhitë e së shkuarës”, deklaroi Rama.

Partisë Socialiste në Durrës i janë bashkuar 1500 anëtarë të rinj. Për Saimir Tahirin, PS është parti e garës dhe e aleancës me qytetarin, ndërsa për Vangjush Dakon, arsyeja e anëtarësimit të tyre lidhet me një emër. “Është Edi Rama”, tha Dako.

“S’është as Rama, as Dako. Është Partia Socialiste e Shqipërisë”, tha nga ana e tij kryetari i mazhorancës.

Top Channel