Grabitjet e bankave pa autorë, në gjyq vetëm rojet private

06/02/2016 15:30

Prokuroria e Tiranës po çon drejt mbylljes së hetimeve dosjen për grabitjen me armë të 3.8 milionë eurove të një banke, ndërsa shuma po transportohej drejt Rinasit me destinacion Austrinë.

Në gjyq do të shkojnë vetëm 6 rojet private, të akuzuar për shpërdorim detyre, pasi nuk kanë vepruar për të parandaluar grabitjen.

Rojet e kompanisë private, nga të cilët 5 janë në arrest burgu e një në arrest shtëpie, janë shprehur  se nuk kanë qëlluar me armë zjarri pasi ishin befasuar nga sulmi. Ata kanë thënë se ishin frikesuar ndaj nuk kishin reaguar, por Prokuroria mendon se ata nuk kanë zbatuar rregulloren.

Prokuroria shpjegon dinamikën duke nënvizuar se shuma e parave ndodhej në makinën e parë të blinduar në të cilën ndodheshin vetëm dy policë. Në të dytën ndodhej makina e blinduar shoqëruese, brenda së cilës ishin katër efektivë të tjerë.

Por ka dyshime se efektivët nuk kanë ndjekur asnjë plan masash dhe sapo makina e parë është sulmuar, efektivët në mjetin e dytë, megjithëse kanë patur kohë për të reaguar, nuk kanë vepruar. Hetimi për grabitjen e parave do të vazhdojë, edhe pse nuk ka ende asnjë autor apo të dyshuar.

Më herët, edhe grabitja me armë e gati 3 milionë eurove në hyrje të një banke të nivelit të dytë është mbyllur vetëm me akuzat ndaj rojeve private për shpërdorim detyre.

Nga imazhet e kamerave të sigurisë u pa se grabitesit i sulmuan rojet private vetëm me shuplaka, ndërsa ata u panë se ishin të maskuar e me armë.

Sipas Prokrorisë, dy nga efektivët e policisë private kanë parkuar mjetin përballë hyrjes së tunelit duke krijuar hapësirën e nevojshme për grabitësit, ndërsa shoqëruesit e tjerë të vlerave monetare janë pozicionuar në mënyrë të çrregullt përreth bankës duke mos reaguar në çastin e sulmit nga grabitësit.

Edhe për këtë ngjarje vijojnë hetimet për gjetjen e grabitësave.

Top Channel