Pas shpenzimit të 84 mijë eurove për restaurimin dhe përurimit të bujshëm 8 muaj më parë, kanë mjaftuar shirat e dimrit për të nxjerrë në pah cilësinë e dobët të punimeve.

Çatitë në formë kupolash të Hamamit të Krujës janë mbështjellë me qese plastmasi duke e katandisur në një gjendje qesharake një ndër objektet e rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, që tashme duhej të ishte i hapur për vizitorët.

Stavri Burda, punonjës i Trashëgimisë Kulturore pa Kufij, organizatës që është marrë me financimin dhe hartimin e projektit thotë se nuk bëhet fjalë për cilësi të dobët punimesh, por për kolaudim të tyre.

I nisur në qeverinë Berisha dhe i përfunduar gjatë qeverisjes Rama, megjithë punën 18-mujore dhe kritikat e shumta për mënyrën si u restaurua, monumenti mesjetar i shekullit të 15 vijon të mbetet i mbyllur me dryn, çka do të thotë se përurimi u bë pa u kolauduar objekti dhe pa u marrë në dorëzim.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës pranon se problemet e hasura kanë penguar marrjen në dorëzim të objektit nga ana e Ministrisë.

“Kolaudatori ka nxjerrë disa problematika dhe ata kanë marrë përsipër të bëjnë disa punime prandaj dhe gjendja është e tillë”, thotë Ledion Lako, Drejtor i DRKK.

“Ne sot gjendemi përpara një fakti që barbarizmi vazhdon të keqpërdorë dhe të mos mirëmbajë moneumentet e pakta që na kanë mbetur. Trashëgimia sot ka shumë pak fonde, por edhe ato që përdoren nuk përdoren në mënyrë profesionale dhe nuk e ruajnë trashëgminë”, thotë Gjergj Bojaxhi, kryetar i Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë.

Top Channel