Greqi, edhe policia në protestë; mbi 3.000 kundër reformës së pensioneve

06/02/2016 17:15

Rreth 3 mijë policë protestuan në Athinë kundër reformës së pensioneve, e anunçuar prej qeverisë Tsipras. Kreu i Sindikatës së policisë dhe forcave të sigurisë, Thanasi Papacibas shprehu kundërshtinë e tij për reformën.

Ai tha se, nëse kjo reformë do të votohet nga Parlamenti, atëherë do të jetë edhe fundi i skemës së pensioneve për forcat e sigurisë.

Reforma parashikon rritjen e viteve të punës dhe ndryshimin e llogaritjes së pensionit për gati 100.000 anëtarë të forcave të rendit, rojës bregdetare dhe zjarrfikësve, por edhe ulje të pensioneve për mijëra policë që tashmë janë në pension.

Sindikatat kërkuan dialog lidhur me situatën, por qeveria thotë se s’ka anjë rrugë tjetër përveç reformës së thellë të skemës së pensioneve, në të kundërt brenda vitit kjo skemë do të falimentojë tërësisht.

Pranë protestuesve u gjendën edhe deputetë të Parlamentit grek, të cilët mbështetën kërkesat e tyre. Reagime prej protestuesve pati prej pranisë së një zjarrfikësi, i cili mori pjesë në manifestim me gomarin e tij.

Të pamundura të reagojnë, forcat e ndërhyrjes së shpejtë që ishin të ngarkuara me ruajtjen e rendit, u mjaftuan në procedimin me një gjobë prej 200 eurosh për futje të kafshëve shtëpiake në qendër të qytetit pa leje. Prania e gomarit dhe simbolika e tij në protestë shkaktoi shumë të qeshura në radhët e protestuesve.

“Jemi këtu pranë jush, në mbështetje të forcave të sigurisë. Ky ligj i bashkangjitet një seri ligjesh anti-popullore që kjo qeveri ka marrë kundër shtresave të mesme dhe klasës punëtore. Shitën Greqinë, tani po vënë dorë edhe mbi pensionet e tyre. Të protestojmë që ky ligj të mos kalojë”, deklaroi Thanasis Pafilis, deputet i Partisë Komuniste.

Të pranishëm në protestë ishin edhe deputetët e partisë së ekstremit të djathtë Agimi i Artë, Ilias Katsidhiaris dhe Kostas Barbarusis. Prania e tyre u komentua negativisht nga deputetët e tjerë, por nuk pati incidente.

Top Channel