Korea e Veriut lëshon raketën me rreze të gjatë; reagojnë Jugu, Japonia e SHBA-të

07/02/2016 00:00

Pas deklaratave për testimin e bombës me hidrogjen, Korea e Veriut e vë sërish në lëvizje komunitetin ndërkombëtar me sfidën e saj të radhës: lëshimin e një rakete me rreze të gjatë veprimi.

Kritikët thonë se, bëhet fjalë për një tjetër provë, këtë herë atë të një teknologjie të ndaluar raketore.

Televizioni shtetëror në vendin komunist njoftoi se, Peniani ka hedhur me sukses në orbitë një satelit. I menjëhershëm ishte reagimi i Japonisë, Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara, që kërkuan një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Seuli, me arsyet më të mëdha për t’u shqetësuar, po përgatitet të diskutojë me Uashingtonin zhvendosjen e një sistemi të mbrojtjes antiraketore. Sipas një zyrtari të lartë të mbrojtjes në Korenë e Jugut, Ryu Je-Seung, sistemi “THAAD”, i konsideruar si një ndër më të avancuarit në botë, do të instalohet vetëm si kundërpeshë ndaj kërcënimit të Veriut komunist.

Ashtu siç kishte premtuar, apo nga disa këndvështrime kërcënuar, Peniani e lëshoi raketën me rreze të gjatë veprimi në 9 e 30 të mëngjesit, me orën lokale.

Objektivi – sipas tij, – ishte hedhja e një sateliti në hapësirë, ndërsa komuniteti ndërkombëtar është i bindur se, e gjithë kjo sipërmarrje nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e maskuar për zhvillimin e një rakete balistike me rreze veprimi gati 9 mijë kilometra, e aftë të godasë qytetet e Shteteve të Bashkuara.

Një rezolutë e Kombeve të Bashkuara ia ndalon Penianit eksperimentet raketore, qofshin ato edhe për qëllime civile, nisur nga fakti që regjimi i atjeshëm e ndjek me këmbëngulje objektivin e zotërimit të armëve të shkatërrimit në masë.

Top Channel