Debati në PS. Rama, batuta me Majkon për Blushin

07/02/2016 00:00

Debati në distancë me Blushin zotëroi një pjesë të atmosferës së takimit të Edi Ramës me anëtarë të rinj të Partisë Socialiste në Tiranë.

Taktika e re duket se gjthsesi përdori rivalitetet e vjetra në gjirin e socialistëve. Për Blushin kësaj radhe foli një koleg që me të prej vitesh nuk ka marrëdhënie të mira.

“Problemi është që unë kam një çikë dorë të keqe, se i kam dhënë teserën Koço Kokëdhimës, është kontravers ai. Ia kam dhënë edhe Ben Blushit. Kujdes tani, je mes dy alternativave, zgjidh nga do shkosh“, i tha Majko një të riu që mori teserën.

“Pandi të dha dy alternativa, por ti mbahu fort mbas Pandit se historia ka treguar që Pandi gjithmonë i mbijeton çdo dallge. Mua që rri me Pandin më ka dalë më mirë sesa ata që shkojnë sa andej-këndej“, tha Rama.

Kryeministri renditi disa arsye përse duhet t’i bashkohesh PS-së: “Po t’u drejtohemi të gjithë atyre që fitojnë me punën  e tyre më pak se 1 milion lekë të vjetra dhe t’ju themi se falë qeverisë së Partisë Socialiste dhe falë mbështetjes që Partia Socialiste mori për të drejtuar qeverinë e vendit, sot të gjithë ata paguajnë më pak taksa nga të ardhurat e tyre përmes punës. Dhe janë 97% e shqiptarëve që paguajnë më pak taksa nga rroga“.
 
Rama u ndal edhe tek biznesi i vogël: “Kemi sot mundësinë të trokasim në çdo sipërmarrje të vogël në çdo biznes që ka vetëpunësuar familje të tëra dhe janë jo pak, por 83 mijë e disa qindra, të cilëve mund t’u themi sot: Ju keni zero taksë për biznesin tuaj, e kjo falë qeverisjes së Partisë Socialiste të Shqipërisë“.

Top Channel