PD, Deda: Spitalet drejt degradimit, Rama e Beqja bëjnë propagandë

07/02/2016 00:00

Deputetja e Partisë Demokratike, Albina Deda ka vijuar edhe gjatë kësaj fundjave me denoncimin e asaj që e quan hajdutëri e dyshes Rama-Beqja, ndërkohë që nga Materniteti i Lezhës ka theksuar problemet kryesore me të cilat përballet ai, por edhe institucionet e shëndetësisë nëpër rrethe.

Spastrimet e personelit mjekësor po thellohen, ndërkohë që gjendja e spitaleve është në degradim të përditshëm, sipas deputetes demokrate të Komisionit parlamentar të Shëndetësisë.

Në Lezhë, pasi u takua me paciente dhe familjarë të tyre në Maternitet, Deda denoncoi mungesën e barnave kryesore, për të cilat u shpreh se nënat e reja dhe të afërmit i blejnë vet, dhe tha se infrastruktura ështe tejet e amortizuar.

“Një problem i madh është amortizimi i mjeteve prej mëse 30 vitesh dhe moszëvendësimi i tyre, mungesë që rrezikon jetën e nënave dhe foshnjave”, tha Deda.

Deputetja e PD-së, Albina Deda i bëri thirrje ministrit Beqaj të shohë realitetin e spitaleve në Veri, që janë në një gjendje të mjeruar.

“Ka vetëm shfaqje dhe propagandë të kryeministrit dhe ministrit të Shëndetësisë për reformë në shëndetësi dhe shërbim falas, ndërkohë që ata janë të zënë vetëm me koncesione dhe tendera me përfitime marramendëse. Në Maternitetin e Lezhës ka mjerim dhe mungesë të theksuar të ilaçeve, si dhe të kushteve normale të trajtimit të pacientëve”, tha Deda.

Top Channel