Përsëritja e vetvetes i kushton Rubios debatin e New Hampshire

07/02/2016 00:00

Debati televiziv republikan në New Hampshire solli një risi: shënjestra e sulmeve të përqëndruara të rivalëve në garën për nominim nuk ishte më Donald Trump, por senatori i Floridës, Marco Rubio.

I pari që u lëshua mbi Rubion, e avantazhuar nga sondazhet e fundit, u bë guvernatori i New Jerseyt, Chris Christie. Ai e përshkroi 44-vjeçarin si njeri pa eksperiencë e që nuk del nga kornizat.

“Ja çfarë bën, përsërit veten. Fjalimi i famshëm 25 sekondësh që e ka mësuar përmendësh. Ja ku e keni”, tha Chris Christie, guvernator i New Jerseyt.

Rubio, i gjendur gjithashtu edhe nën breshërinë e goditjeve të Trumpit dhe Jeb Bushit, u përpoq t’i shmangej mësymjes së rivalëve duke sulmuar Presidentin Obama.

“Le të heqim dorë njëherë e mirë nga përralla, se Barack Obama nuk di ç’bën. Ai e di fare mirë se çfarë është duke bërë. Barack Obama po përpiqet ta ndryshojë rrënjësisht këtë vend e ta bëjë Amerikën si të gjithë pjesën tjetër të botës”, tha Marco Rubio, senator i Floridës.

Debati i New Hampshire-it erdhi 4 ditë përpara se atje të nisin votimet, për kandidatët që do të përfaqësojnë secilën parti në Presidencialet e nëntorit. Pjesa më e madhe e 7 konkurrentëve republikanë kanë pritshmëri të larta në këtë shtet, ndaj dhe presioni është aq i madh, sa provokon konflikt.

Një prezantim i mirë në përballjen televizive do të konsolidonte ndjeshëm mbështetjen e simpatizantëve republikanë për Rubion, por qëllimi i Christiet ishte t’i bënte këta të fundit të mendonin dy herë, përpara se ta hidhnin votën e tyre, e ndoshta ia doli mbanë.

Top Channel