Në një përpjekje për të frenuar fluksin e pandalshëm të refugjatëve drejt Europës, BE po planifikon dërgimin e një force ushtarake në kufijtë greko-maqedonas.

Lajmi publikohet nga prestigjiozja britanike “Financial Times”, sipas së cilës, ky plan, që për herë të parë është propozuar nga Sllovenia, po merr mbështetjen e shumë udhëheqësve në Berlin dhe Bruksel, pasi Greqia e ka të pamundur që të ruajë me forcat e saj kufijtë e jashtëm të BE-së, nga ku prej fillimit të këtij viti kanë hyrë prej Turqisë 67 mijë refugjatë.

Një ditë më parë, Kancelarja gjermane Merkel, e cila viziton Ankaranë për çështjen e refugjatëve ditën e hënë, ka kërkuar një mbrojtje më të fuqishme të kufijve të jashtëm të BE-së.

“Kemi nevojë të mbrojmë kufijtë tanë të jashtëm, sepse duam të ruajmë ‘Schengen’-in. Nëse nuk mbrojmë kufijtë tanë të jashtëm, lëvizja e lirë në tregjet e brendshme – që është edhe burimi i pasurisë sonë – është në rrezik, ndaj dhe duhet ta parandalojmë këtë. Unë mendoj se të gjitha shtetet anëtare të BE-së jane dakord për këtë”, tha Kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Edhe ministri i Jashtëm hungarez ka kërkuar krijimin e një brezi mbrojtës në kufijtë e Greqisë me Bullgarinë dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, brez i cili ka filluar pak a shumë të funksionojë pasi Hungaria, Kroacia, Sllovakia dhe Sllovenia kanë dërguar një numër oficerësh policorë dhe personel për të kryer patrullime të përbashkëta në këtë zonë.

Siç theksojnë shumë analistë, nëse BE-ja vë në zbatim një plan të tillë për dërgimin e ushtrisë në kufijtë greko-maqedonas ,krijohet rreziku që Greqia të mbetet e bllokuar brenda kufijve të mbyllur europianë dhe fluksit masiv të refugjatëve nga Turqia, numri i të cilëve në vendin fqinj shkon në mbi 2.5 milionë njerëz.

Top Channel