Tragjedia e Pogradecit, humb jetën në spital një nga të plagosurit

07/02/2016 00:00

Një nga të plagosurit e ngjarjes së ndodhur në Beragozhdë të Pogradecit, ku mbetën të dëmtuar 30 persona, ka ndërruar jetë mbrëmjen e së shtunës, pasi nuk u mbijetoi plagëve të marra si pasojë e shpërthimit të fuqishëm të bombolave të gazit në një lokal.

Vasfi Fraholli, 50 vjeç, kishte djegie në më shumë se 60 për qind të trupit dhe ka ndërruar jetë rreth orës 23 të së shtunës. Shefi i shërbimit në Spitalin e Djegie-Plastikës bëri një përditësim për gjendjen e të gjithë pacientëve.

“Nga 26 të sëmurë, 6 vazhdojnë të jenë në terapi intensive. 20 të tjerë të shpërndarë në pavionet e spitalit tonë, në gjendje më të përballueshme. Nga këta 6 që kemi në gjendje të rëndë, djali 14-vjeçar Eri Hamolli është më problematiku, megjithatë në vizitat dhe mjekimet e sotme nuk kemi të paktën përkeqësim situate. Janë disa pacientë që pritet të dalin, kam biseduar me ta për ditën e nesërme, megjithatë ata kërkojnë që t’i mbajmë edhe disa ditë”, tha doktor Gjergji Belba, shef i shërbimit në Spitalin e Djegie-Plastikës.

Të gjithë pacientët që po trajtohen në Reanimacion kanë djegie në thuajse 60 për qind të trupit. Ndërkohë, deri më tani, specialistët përjashtojnë transportimin e ndonjë pacienti jashtë vendit, ndërsa theksojnë se janë të gjitha mundësitë për trajtimin e tyre në QSUT.

Top Channel