PD, në mbrojtje të Ndocajt: Prokuroria të nisë hetimet, i kërcënuar nga mercenari i Ramës

07/02/2016 00:00

Përmes një konference për mediat, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa i ka bërë thirrje Prokurorisë të nisë hetimet mbi denoncimin e deputetit të mazhorancës, Eduard Ndocaj, nga ai që selia blu e quan “mercenar” të Edi Ramës, e të cilit i është besuar dega e Partisë Socialiste në Lezhë.

Bëhet fjalë për ish-deputetin e Partisë Socialiste, Arben Ndoka, për të cilin demokratët thonë se, pavarësisht se beteja e tyre për dekriminalizimin e nxori atë jashtë Parlamentit, ai vazhdon me të njëjtat medota kriminale të drejtojë degën partiake të Lezhës në emër të kryeministrit të vendit.

Edhe pse kjo është një mbrojtje jo e zakontë, apo e panatyrshme, për shkak se bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në kampin rival, PD-ja akuzon Ramën se vijon të shtojë dozat e propagandës me regji qendrore, me anëtarësime të paracaktuara dhe me fjalime të gatshme e të sforcuara, pavarësisht denoncimit publik prej dy ditësh.

“E turpshme është retorika e Ramës me të rinjtë për partinë e tij dhe për vlerat, kur ai e ka inkriminuar atë në qelizë, kur nuk gjen kohë të mbajë një qëndrim për faktin se deputeti i tij kërcënohet me jetë nga koordinatori i tij. Në të vërtetë, realiteti i partisë që drejton Rama ky është. Banditë e trafikantë të njohur kanë nën kontroll këtë forcë politike, në Shkodër, Lezhë, Krujë, Kavajë e shumë qytete të tjera. Ata kanë jo vetëm partinë në dorë, por edhe emërimet e tenderimet. Këta, sigurisht nuk janë socialistë e as nuk i përfaqësojnë socialistët e ndershëm. Janë thjesht kriminelë që përfaqësojnë Edi Ramën”.

Për këtë arsye, selia blu i bën thirrje Prokurorisë të hetojë këtë rast me profesionalizëm e pa ndikim politik, pasi denoncimi i kërcënimit me jetë tashmë është bërë publik. Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Eduard Ndocaj, e denoncoi kërcënimin ndaj tij me jetë përmes rrjeteve sociale.

Top Channel