Itali, policia sekuestron BMW-në famëkeqe, por jo 3 autorët

07/02/2016 00:00

Policia italiane mbetet në kërkim të 3 keqbërësve, që po shkaktojnë panik të zonën verilindore të vendit, me vjedhje dhe rrëmbime. Fillimisht ishte automjeti famëkeq “Audi i verdhë” e më pas “BMW-ja e zezë”.

Në zonën e Veronës, një patrullë ndoqi gjatë natës këtë automjet, i vjedhur në Milano përpara disa javësh, që udhëtonte me shpejtësi mbi 200 kilometra në orë dhe me drita të fikura. Pas një frenimi të papritur, 3 personat që ndodheshin në bord arritën të largoheshin me vrap në fushat jashtë autostradës.

Makina BMW u sekuestrua e brenda saj u gjetën dy revole, një kallashnikov, municione, kavo elektrike, targa të vjedhura dhe një aparat që zhurmon frekuencat e telefonave celularë.

Specialistët kanë mbledhur elementë e gjurmë biologjike, të nevojshmë për të shqyrtuar nëse banda e BMW-së është e njëjta me atë të Audit të verdhë.

Sipas komandantit të Policisë Rrugore të Veronës, është e ngjashme “mënyra e lëvizjes, e furnizimit në pikat e karburantit dhe arratisja në këmbë”.

Automjeti famëkeq i përleshjes më policine dhe shkaktar i vdekjes së një personi në autostradë, u gjet i djegur përpara disa ditësh në afërsi të Trevizos. Rasti bëri bujë, sepse fillimisht u akuzua një i ri shqiptar, i cili u paraqit vullnetarisht në polici për të dëshmuar se nuk kishte asnjë lidhje me “Audin e verdhë”.

FOTO GALERI
1/11

Top Channel