Ferrari thyen sërish rekord: shitet për 28 milionë euro

07/02/2016 00:00

Një makinë klasike Ferrari është shitur në një ankand për 28 milionë euro, duke u bërë kështu makina më e shtrenjtë në botë.

Legjendari Ferrari 335 S Spider Scaglietti arriti të kapte 300 km/h në vitin e largët 1957, një arritje e jashtëzakonshme për kohën. Kjo makinë ka përfunduar në vendin e dytë në Mille Miglia, para se një vit më vonë të bëhej makina e parë që e përshkonte pistën e Lë Manshit me shpejtësinë mesatare 200 km/h.

Kjo makinë ishte blerë në vitin 1970 nga piloti dhe koleksionisti francez Pierre Bardinon, i cili vdiq në vitin 2012 dhe tashmë familja e tij vendosi ta shiste perlën e koleksionit. Nuk dihet identiteti i blerësit.

Marcel Massini, një ekspert i historisë së Ferrarit, e ka përshkruar makinën si “maksimumin e maksimumit”.

Rekordin e mëparshëm si makina më e shtrenjtë në botë e mbante sërish një Ferrari. Në vitin 2014, Ferrari 250 GTO e vitit 1962 u shit për 25 milionë euro.

Top Channel