Debati për varrin e Kodrës, Ministria: Do të prehet në krah të vëllezërve Frashëri

07/02/2016 00:00

Pas protestave të banorëve të Ishmit, që kundërshtojnë largimin e eshtrave të piktorit të madh, Ibrahim Kodra, Ministria e Kulturës sqaroi me anë të një deklarate se, është depozituar një kërkesë e Bexhet Pacollit dhe Fatos Faslliut, kryetarë të Fondacionit “Ibrahim Kodra” në Lugano dhe në Durrës, lidhur me plotësimin e vullnetit të fundit të vet piktorit Ibrahim Kodra, që të prehej në Tiranë, në një vendndodhje ku të vizitohej nga bashkatdhetarë të shumtë të tij.

Ministria e Kultures shprehet se, vullneti i mjeshtrit nuk u plotësua si pasojë e një moskoordinimi, ndërsa tani, në 10-vjetorin e vdekjes së tij, ministria ka marrë përsipër ta realizojë atë.

Ministria e Kulturës ka vendosur, që memoriali i tij të vendoset në krah të figurave të mëdha të kombit shqiptar, si Faik Konica e vëllezërit Frashëri. Në koordinim me bashkitë e Tiranës dhe Durrësit – thuhet në deklaratën e Ministrisë së Kulturës, – janë marrë masa për të realizuar ceremoninë e nderit, që do të mbahet në kodrat e liqenit Artificial.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se, memoriali i vendosur në Ishëm, në varrezën aktuale, do të qëndrojë aty dhe do të plotësohet me një pllakë përkujtimoreje, ku do të shkruhet se, Ishmi është krenar për birin e vet, piktorin e madh, nderin e kombit, Ibrahim Kodra, që tani prehet sipas vullnetit të tij në Tiranë, pranë figurave të shquara të kulturës kombëtare.

Top Channel