Programi i opozitës, platforma për ekonominë, sigurinë e kulturën

07/02/2016 00:00

Partia Demokratike ka vijuar konsultimet publike të programit të saj qeverisës, me ekspertë të njohur të fushave të ndryshme. Në tryezën e radhës, PD prezantoi platformat në 4 fusha, atë të financave, çështjeve sociale, sigurisë kombëtare dhe kulturës.

Sipas opozitës, ulja e taksave dhe punësimi janë prioritetet kryesore në fushën e financave dhe çështjeve sociale. Programi parashikon vendosjen e taksës së sheshtë 9%, uljen e TVSH-së në 15%, si dhe heqjen e një sërë taksave dhe tarifave të fshehura, të cilat sipas opozitës rëndojnë biznesin.

Në lidhje me çështjet sociale, platforma parashikon rritjen e pagës minimale dhe ndihmës ekonomike për të varfërit. Gjithashtu, opozita angazhohet të eliminojë rritjen e kontributeve për profesionistët e lirë.

Platforma e kulturës është paraqitur para figurave të njohura të artit. Sipas opozitës, programi për këtë sektor fuqizon institucionet e artit dhe kulturës, rigjallëron monumentet e trashëgimisë dhe parashikon promovimin e sportit dhe mbështetjes së të rinjve.

Ndësa në lidhje me sigurinë kombëtare, opozita thotë se do t’u rikthejë Forcave të Armatosura statusin dhe misionin e tyre, sipas standardeve të NATO-s, si dhe do të rinisë reformat e lëna nga qeveria e majtë.

Top Channel