Qeveria, divorc me “Crown Agents”. Cani: Realizuam qëllimet tona

07/02/2016 00:00

Kontrata dyvjeçare mes qeverisë dhe kompanisë konsulente “Crown Agents” ka mbërritur zyrtarisht në fund. Edhe pse e ka cilësuar si një bashkëpunim të suksesshëm, Ministria e Financave nuk e ka rinovuar edhe një tjetër vit kontratën me kompaninë britanike, një mundësi kjo që ishte parashikuar që në momentin e nënshkrimit, por ka vendosur t’i japë fund asaj.

Sipas ministrisë, kontrata me “Crown Agents” konsistonte në disa objektiva, si rritja e integritetit të Administratës Doganore, përmirësimi i administrimit, si dhe rritja e të ardhurave në buxhetin e shtetit.

Ministria vlerëson se, pas dy vitesh bashkëpunimi është arritur përmirësim në kontrollet doganore, identifikimin e shkeljeve, menaxhimin e riskut dhe rritjen e integritetit profesional në institucionin e doganave.

Sipas saj, nga puna e përbashkët me “Crown Agents” është bërë e mundur të realizohen 17 mijë inspektime, ku janë gjetur mbi 4.500 shkelje. Ministria thotë se, kompania britanike ka ndihmuar në parandalimin dhe zbulimin e korrupsionit, duke dhënë asistencë dhe mbështetje në hartimin e Kodit të Etikës.Ndërsa në lidhje me të ardhurat, rezultatet e të cilave kanë qenë poshtë pritshmërive, Ministria e Financave i sheh faktorët si të jashtëm.

Faktorët, që kanë ndikuar në të ardhura jo të larta, janë analizuar dhe po analizohen në vijimësi nga autoritetet doganore. Ajo që ka kuptim të thuhet sot është se, konsulenca e “Crown Agents” ka qenë një vlerë e shtuar për shërbimin doganor shqiptar.

Sipas ministrisë, pas bashkëpunimit dyvjeçar me këtë shoqëri, Administrata Doganore ka përvetësuar eksperiencë të gjerë dhe standarde të larta, të cilat do i përdorë gjatë viteve në vijim.

Top Channel