Haradinaj “del” nga rreshti, të hënën në tryezën e Presidentes me Thaçin e Mustafën

07/02/2016 00:00

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e shoqëruar nga Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie dhe nga shefi i Zyrës së Bashkimit Europian, Samuel Zhbogar, do të presin të hënën nga ora 9 në tryezën e bisedimeve liderët e partive për të diskutuar për krizën politike.

Përveç liderëve të partive të koalicionit qeveritar, në tryezën e bisedimeve për herë të parë do të ulet edhe një lider opozitar, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Po, kryetari Haradinaj do të marrë pjesë, i është përgjigjur ftesës së Presidentes. Ai në këtë takim edhe njëherë do të konfirmojë qëndrimin e prerë të Aleancës dhe të opozitës karshi çështjeve që i kemi ngritur tash e disa muaj”, tha Tahiri, këshilltar i kryetarit të AAK.

Por, përgjigjen pozitive të Haradinajt për takim tek Presidentja, nënkryetari i Vetëvendosjes, Driton Çaushi e ka cilësuar si tradhti dhe flirtim të Haradinajt me pushtetin.

Ky reagim i nënkryetarit të Vetëvendosjes përmes “Facebook”-ut e ka shtyrë Haradinajn që të lëshojë një deklaratë publike, përmes së cilës ka sqaruar se në tryezë tek Presidentja do të kërkojë të shpërndahet Parlamenti dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, si e vetmja mundësi për të dalë nga kriza.

Haradinaj, po ashtu, ka thënë se në takim do të kërkojë që zgjedhja e presidentit të bëhet me votë të drejtpërdrejtë nga populli dhe se opozita e bashkuar do të vazhdojë kundërshtimin politik e qytetar deri në përgjigje pozitive për këto kërkesa.

Liderët e partive politike nga pozita dhe opozita nuk janë takuar në një tryezë të përbashkët që nga muaji maj i vitit 2014 në rezidencën e ambasadës amerikanë në Prishtinë, ku ishin pajtuar për zgjedhjet e parakohshme.

Top Channel